Milaim Rama “lamtumirë” futbollit (FOTO)

dardanmiftari | Thursday, May 24, 2012 | 0 Komente

Milaim Rama, futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane, i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist në ndeshjen e mbrëmshme të Thunit përballë Zurichut në stadiumin “Arena”.

"O Milaim Rama, hajde të shohim gola", "Faleminderit Milaim", "Ti je hero i Thunit", "Ti do të mbetesh në legjendë", "I papërsëritshëm", ishin brohoritjet e mbi katër mijë tifozëve të FC Thunit.

Në mesin e tyre ishin edhe rreth 100 bashkatdhetarë të trevave shqiptare, që ishin mbledhur mbrëmë në stadiumin e ri të qytetit Thun, për të përshëndetur golgeterin e kësaj skuadre, i cili pas 47 viteve e solli klubin në ligën e parë profesioniste.

Më 113 gola, mbi 355 ndeshje, Rama luajti në klub për 13 vite, ndërsa 10 herë veshi fanellën e kombëtares zvicerane, duke u bërë futbollisti i parë shqiptarë që luajti për këtë përfaqësuese dhe i pari që luajti në një kampionat evropian, atë të vitit 2004.

Rama luajti për 57 minuta në takimin e mbrëmshëm, në të cilin skuadra e tij, Thun, u mposht me rezultat 1-0 nga Zurichu.

“Janë momentet më të vështira, jam përplot me emocione, falënderoj Perëndinë, falënderoj familjen time, pra prindërit, bashkëshorten, djalin tim, vajzën, motrën, vëllain, të gjithë familjen në Kosovë dhe kudo që gjendet, gjithë shqiptarët”.

“Jam shumë i lumtur që kam bërë diçka të mirë, që kam qenë shembull për të tjerët, se me punë arrihet suksesi. Nuk gjej fjalë në këto momente, po e ndjej, se zemra po rrah shumë, edhe lotët po dalin, këto janë lot zemre, janë lot falënderimi për tifozët e shumtë nga e gjithë Zvicra, që vazhdimisht më kanë përkrahur, këta më kanë dhënë gjithmonë elan, që të jem i mirë”, ka thënë Rama gjatë një prononcimi pas takimit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...