Anglia eliminon Suedinë

Unknown | Saturday, June 16, 2012 | 0 Komente

Në një ndeshje madhështore të zhvilluar në Olimpiskiy Arena të Kievit, Anglia ka eliminuar Suedinë nga kampionati evropian Euro 2012 pasi arriti ta mposhtë skuadrën skandinave me rezultat 3-2.
Ndeshja filloi në ora 21:00 për shkak të vonesës së krijuar nga shiu në ndeshjen tjetër të Grupit D, por kjo nuk i pengoi lojtarët që të shfaqin një performancë të jashtëzakonshme, në ndeshjen më të mirë deri më tani në Euro 2012.

Pjesa e parë ishte relativisht e baraspeshuar me dominim të Anglisë që pati rastet më të mira në këtë periudhë.

Anglia kaloi e para në epërsi. Pas një harkimi hyjnor nga Steven Gerrard ishte Andy Carroll ai që u gjend më së miri në zonë për të realizuar me kokë për 1-0.

Ky ishte dhe rezultati i pjesës së parë, kurse në pjesën e dytë u zhvillua dhe drama më e madhe deri tani në Euro 2012.

Vetëm katër minuta brenda pjesës së dytë (49’), Glen Johnson shënoi një autogol pas një rrëmuje të shkaktuar nga një gjuajtje e lirë e ekzekuktuar nga Zlatan Ibrahimovic që rezultoi për barazimin e rezultatit në 1-1.

Presioni suedez vazhdoi dhe pas një harkimi të bukur në zonë nga Larsson, ishte Olaf Mellberg ai që me kokë e kaloi në epërsi Suedinë për 2-1.

Kur të gjithë menduan se ndeshja mbaroi dhe zhgënjimi filoi të përhapet tek anglezët, në skenë del vogëlushi Theo Walcott, i cili me një raketë angleze të Luftës së Dytë Botërore e bombardoi portierin Isaksson, të cilin sigurisht pas ndeshjes duhet ta kontrollojnë specialistët e syve (64’).

Anglia më pas merr kontrollin e lojës në dorë, por nuk munguan as rastet e suedezëve. Për t’ua bërë me dije të gjithëve se nuk ka nevojë të kthehet Rooney, u përkujdes Danny Welbeck, i cili në mënyrë maestrale i dha fitoren Anglisë për 3-2.

Deri në fund Suedia tentoi që së paku të barazonte, por nuk arriti të bëjë asgjë kurse rezultati mbeti 3-2 në favor të Anglisë.

Me këtë fitore Anglia është në vendin e dytë me katër pikë nga dy ndeshje, ashtu sikurse liderja Franca, teksa Suedia eliminohet pa pikë. Ukraina takohet me Anglinë në ndeshjen e fundit dhe opsioni i vetëm për nikoqirët ndaj Tre Luanëve është fitorja.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...