Gjigantët ndahen me barazim (VIDEO)

dardanmiftari | Sunday, June 10, 2012 | 0 Komente

Me rezultat të barabartë prej 1-1 ka përfunduar superndeshja e Grupit C në kuadër të Euro 2012, në mes të Spanjës dhe Italisë.

Spanjollët e filluan më mirë ndeshjen duke u përpjekur që ta impononin lojën e tyre të stilit të Barcelonës me posedim të topit dhe me sulme ekipore duke qenë se luanin pa sulmues tipik.

Megjithatë, italianët shumë shpejtë arritën ta baraspeshojnë lojën dhe ndërkohë që bllokonin sulmet e kampionit në fuqi, tregoheshin mjaft të rrezikshëm edhe në fazën e sulmit. Andres Iniesta ishte lojtari që i shkaktonte telashe mbrojtjes azzurre, pasi që sa herë qe merrte topin e vinte në pozitë të pakëndshme Gigi Buffonin qoftë me asistime apo me goditje direkte.

Mirëpo, ishte Italia që i pati rastet më reale për të shënuar. Fillimisht një goditje e Andrea Pirlos nga gjuajtja e lirë, pastaj një vole i Claudio Marchisios dhe në fund rasti më i mirë i pjesës së parë ishte goditja e Thiago Mottas me kokë, por në të gjitha këto raste, Iker Casillas intervenoi në mënyrë të jashtëzakonshme.

Furia e Kuqe e filloi furishëm gjysmën e dytë duke vënë në presion lojtarët me fanellat e kaltra me raste të njëpasnjëshme shënimi, por mungoi konkretizimi. Nga ana tjetër, Mario Balotelli u vu ballë për ballë me Casillasin, por derisa ai u zgjua nga gjumi, Sergio Ramos ia mori topin.
Cesare Prandelli reagoi menjëherë duke zëvendësuar SuperMarion me Antonio Di Natalen dhe ky ndërrim rezultoi shumë i suksesshëm. Pasi pranoi një top nga Andrea Pirlo, sulmuesi i Udineses në mënyrë mjeshtërore e mposhti Iker Casillasin (61’) për epërsinë e Italisë.

Gëzimi i italianëve zgjati vetëm pak minuta. Pas një aksioni të mrekullueshëm, David Silva pasoi te Cesc Fabregas dhe mesfushori i Barcelonës e përshëndeti Buffonin (64’) për t’i barazuar shifrat.
Në vazhdim, Fernando Torres u gjet përballë portierit të Italisë, mirëpo numri një i Azzurrëve reagoi si një qendërmbrojtës për t’ia larguar topin. Menjëherë pas, në anën tjetër të fushës Toto Di Natale gjuajti jashtë porte.

Marchisio e pati mundësinë që t’ia siguronte fitoren përfaqësueses së tij, ndërsa Iniesta me bashkëlojtarë vazhduan deri në fund të shfaqnin rrezik. Sidoqoftë, në fund të dyja kombëtarët siguruan nga një pikë në këtë sfidë.

Vlen të përmendet se pesë lojtarë të Barcelonës dhe katër të Real Madridit startuan për Spanjën, ndërsa gjashtë lojtarë të Juventusit luajtën për Italinë në këtë ndeshje të bukur.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...