Holanda demolon Irlandën e Veriut
Me rezultat prej 6-0, Holanda ka triumfuar përballë Irlandës së Veriut në ndeshjen testuese para Euro 2012.
Robin van Persie e hapi takimin që u zhvillua në Amsterdam Arena (11’), ndërsa menjëherë pas Wesley Sneijder e dyfishoi epërsinë nga gjuajtja e lirë (15’).
Në minutën e 29-të u akordua penalti në favor të holandezëve, ndërsa Van Persie ishte i saktë nga pika e bardhë.
I njëjti lojtar ishte i përfshirë edhe në golin e katërt të ‘të portokalltëve’, pasi e dha asistin për Ibrahim Afellay që vendosi rezultatin e pjesës së parë (37’).
Në gjysmën e dytë, anësori i Barcelonës shënoi edhe golin e dytë personal, ndërsa sërish asistues ishte RVP (52’).
Qendërmbrojtësi i Feynordit, Ron Vlaar, shënoi golin e fundit në këtë takim (78’).
Holanda është pjesë e Grupit B në kuadër të Euro 2012, ku bëjnë gara edhe Danimarka, Gjermania dhe Portugalia.
Category: Euro 2012
0 Komente