Sallaku-Laçi bien dakord

Unknown | Wednesday, August 29, 2012 | 0 Komente

Nga ILIR CARA

Stafi nuk ndryshon, Partizani synon goditjen e fundit në merkato Dy bashkë pronarët e Partizanit, Lulëzim Sallaku, që ka blerë aksionet e Xhanit, si dhe Paro Laçi, kanë nisur një bashkëpunim, që pritet të dërgojë të kuqtë e kryeqytetit drejt elitës së futbollit Java ka nisur me ndryshime të madhe tek Partizani, ku pas 13 vitesh drejtim Albert Xhani ka hapur krahun dhe 60 përqindëshi i aksioneve që ai kishte në shoqëri, i janë shituar Lulëzim Sallakut dhe grupit të biznesmenëve që ai përfaqëson, për 1.7 milion euro.

Ndryshimet e ndodhura janë pasqyruar edhe në QKR, ku Lulëzim Sallaku ka rolin e administratorit të shoqërisë. Por ajo që duhet vlerësuar për momentin është bashkëpunimi i frytshëm mes dy drejtuesve, të cilët ndonëse kanë kohën kundra, po bëjnë të pamundurën, që Partizani të kthehet në vendin që i takon.

Së fundi ka pasur plot zëra që ndryshimet do të vijojnë edhe në stafin teknik, i cili prej dy muajsh ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Janë lakuar disa emra, por sipas Paro Laçit, ai dhe ortaku i tij, Lulëzim Sallaku kanë gjetur gjuhën e përbashkët, që puna të vijojë me stafin aktual. Pra, Nikolin Çoçlli do të vijojë detyrën e trajnerit së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Marko Pelinxhi, Ylli Shehu dhe Dashamir Gëzadari.

Garancia finaciare Ndryshimi i ndodhur thuhet se do t’i garantojë Partizanit, atë që i mungon prej gati katër sezonesh, garancinë financiare. Me ardhjen e Lulëzim Sallakut në krye të Partizanit, thuhet se ka një vullnet të mirë edhe nga biznesmenë të tjerë, që duan të financojnë për të kuqtë e kryeqytetit.“Kam bindje se te Partizani ka nisur një erë ndryshimi, ku gjërat do të shkojnë në sensin e duhur.

Këtë gjë e vërteton edhe marrëdhënia dhe bashkëpunimi shumë i mirë që kemi edhe ne drejtuesit. Nën administrimin e Sallakut te Partizani do të jetë e garantuar ana financiare, pasi përveç atij do të afrohen edhe 2-3 biznesmenë të tjerë, të cilët do të garantojë realizimin e objektivit primar që kemi, ngjitjen në superligë,”- u shpreh për “Sportin shqiptar”, Paro Laçi.

Sallaku- Laçi inspektojnë bardheblutë Partizani i sezonit të ri nuk është 100% gati për fillimin e kampionatit, pasi drejtuesit kryeqytetas mbeten në merkato. Në kuadër të konfigurimit sa më të shpejtë të grupit Lulëzim Sallkau dhe Paro Laçi nën shoqërinë e trajnerit të të rinjve të Partizanit, Genc Tomorri, dje kanë qenë të pranishëm në stadiumin “Selman Stërmasi” në kohën kur Tirana po bënte përgatitjet e radhës.

Drejtuesit e kuq ishin për inspektim tek bardheblutë, ku kishin shkuar për të vëzhguar ndonjë element, që mund t’u bëjë punë. “Demat” kërkojnë të huazojnë ndonjë futbollist nga Tirana. Madje drejtuesit e kuq dje janë takuar edhe me administratorin bardheblu, Salih Tagani dhe drejtorin sportiv, Alban Tafaj.

Të kuqtë kanë pikasur dy-tre elementë, të cilët kërkojnë t’i huazojnë, por gjithçka varet nga drejtuesit e Tiranës. Padyshim lajtmotivi i momentit për Partizanin është shfrytëzimi në maksimum i ditëve të mbetura në merkato, ku të gjithë janë të angazhuar për të gjetur elementët e munguar. Paro Laçi, premton se deri në mbyllje të merkatos Partizani do ta bëjë edhe goditjen e tij.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...