De Biazi: Meritonim të fitonim ndaj Kamerunit

Unknown | Friday, November 16, 2012 |


Në ndeshjen e fundit për këtë vit, kombëtarja shqiptare ka barazuar 0-0 ndaj Kamerunit, ku u provuan mjaft lojtarë të rinj. Kuqezinjtë ishin shumë pranë fitores
Mund të konsiderohet një provë e rëndësishme dhe e suksesshme miqësorja e zhvilluar mbrëmë në Gjenevë për Shqipërinë. Trajneri i kuqezinjve tanë, Xhani De Biazi, në fund të 90 minutave, deklaroi se ishte i kënaqur me atë çfarë dha ekipi i tij përballë Kamerunit, madje edhe mund të fitonin. Italiani i kombëtares tonë ka vlerësuar shumë perfomancën e të rinjve që u aktivizuan në këtë miqësore, duke shprehur besimin ndaj tyre në të ardhmen.
“Po, është e vërtetë. Në pjesën e parë patëm pak vështirësi, ndërsa në të dytën ishim krejt ndryshe. Luajtëm më mirë, e qarkulluam më shumë topin dhe mund të kishim shënuar edhe ndonjë gol, që e meritonim një gjë të tillë. Në pjesën e parë patëm pak frikë nga kundërshtari. Në të dytën gjithçka ishte krejt ndryshe për ne. Skuadra po rritet vazhdimisht dhe kjo është shumë pozitive. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit tim ndaj Kamerunit. Meritonim edhe të fitonim.Edhe për të rinjtë e aktivizuar kam mbetur tepër i kënaqur. Do t’i grumbulloj përsëri, por edhe do t’i ndjek dhe do t’i shoh përsëri nga afër. Ata do të vazhdojnë të jenë në planet e mia, por edhe këta futbollistë të rinj duhet të kenë dëshirë për të punuar dhe për t’u rritur profesionalisht çdo ditë” ka deklaruar ai.
I pyetur se cfarë do të veconte në një hark kohor prej një viti në krye të pankinës kuq e zi Xhani De Biazi u përgjigj:
“Mund të them se kemi një bilanc pozitiv sa i takon shënimit të golave, ku kemi pësuar vetëm 8-të dhe kemi shënuar 9-të. Për mua, peng vazhdon të mbetet vetëm ndeshja me Islandën, pasi duhej ta kishim fituar këtë takim. Dhe sot do të kishim edhe tri pikë më shumë në renditje. Ky është pengu im i vetëm në këtë vit të parë, apo atë që do të veçoja për këtë periudhë të punës time në Shqipëri”.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!