Kombëtarja shqiptare e minifutbollit fiton kupën e 100- vjetorit të Pavarësisë

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |


Kuqezinjtë tanë kanë mundur Kosovën 7-5 dhe në finale Maqedoninë me rezultatin 3-2. Alaj ka shënuar 5 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë
Nga GJERGJ KOLA
Kombëtarja shqiptare e minifutbollit është shpallur fituese e kupës së organizuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ka qenë një triangolare, në të cilën, përveç ekipit tonë kombëtar, ka marrë pjesë edhe ai i Maqedonisë dhe i Kosovës. Ndeshjet janë zhvilluar në Tetovë të Maqedonisë dhe janë ndjekur me interes nga një masë e madhe sportdashësish. Kombëtarja jonë, nën drejtimin e trajnerit Alban Hasani, ndeshjen e parë e ka zhvilluar ndaj kombëtares së Kosovës. Ajo është fituar nga kuqezinjtë tanë me rezultatin 7-5. 
Në këtë ndeshje protagonist ka qenë futbollisti i Liburnit të Gjakovës, që luan për kombëtaren tonë, Alaj, i cili ka shënuar tre gola. Dy të tjerë mbajnë për autor Manasterlliun, një është shënuar nga Sino dhe një tjetër nga Thanasi. Me këtë fitore, ekipi ynë hodhi kandidaturën për ta fituar kupën. Në ndeshjen tjetër, Maqedonia mundi ekipin e Kosovës me rezultatin 2-1 dhe në këtë mënyrë ndeshja direkte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të përcaktonte skuadrën fituese. Sipas trajnerit Hasani, ka qenë një ndeshje shumë e fortë, e cila ka pasur rivalitet dhe është zhvilluar në një atmosferë shumë entuziaste. 
“Kam ndjerë emocione të mëdha në këtë ndeshje. Ka qenë shumë e bukur dhe fakti që në fund fituam ne, sigurisht më kënaqi edhe për mënyrën si luajtën futbollistët e mi”, – ka thënë ai. Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje finale ka qenë 3-2 për tanët. Edhe në këtë ndeshje protagonist ka qenë Alaj me dy gola të shënuar, ndërsa goli tjetër është shënuar nga Manasterlliu. Në fund të aktivitetit kombëtares sonë i është dhuruar edhe kupa e vënë me këtë rast për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar. 
Ky turne do të pasohet edhe me ndeshje të tjera miqësore që do të zhvillohen në të ardhmen dhe të gjitha këto i shërbejnë përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian. Këtë e thotë trajneri Hasani, kur për gazetën “Sporti shqiptar”, do të shprehej: “Pas turneut që zhvilluam në Maqedoni, do të zhvillojmë edhe një ndeshje tjetër miqësore me kombëtaren maqedonase në dhjetor në Vlorë. Këto janë ndeshje që po më shërbejnë mua si trajner për të parë formën e çdo sportisti, për të ndryshuar ndoshta diçka edhe në përbërje të ekipit tonë kombëtar, duke kërkuar të marr më të mirët në të. Fillimi i kampionatit kombëtar të futsallës më ka ndihmuar t’i vëzhgoj të gjithë ekipet dhe të përzgjedh më të mirët, por lista mund të ndryshojë herëpashere. 
E rëndësishme është të marrim më të mirët, në mënyrë që kur të nisin në janar eliminatoret e Kampionatit Europian, të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe të synojmë kalimin e grupit”. Në fakt, edhe në eliminatoret e kaluara, Shqipëria e futsallës ka qenë shumë pranë një arritje të tillë, por në fund nuk ia arriti. Tashmë shpresat janë që të bëhet diçka më e mirë dhe prandaj ekipi po zhvillon shumë miqësore për konsolidimin e lojës dhe harmonisë në grup.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!