Pistorius rrezikon burgim të përjetshëm

Lina's | Monday, February 18, 2013 |

Në fillim u kujtua si një incident tragjik, një vrasje nga pakujdesia, e shkaktuar si pasojë e panikut, por me kalimin e ditëve dhe thellimin e hetimeve, “drama” e Oscar Pistorius kthehet në një triller të vërtetë. Atleti afrikano-jugor qëlloi me katër plumba në shtëpinë e tij të dashurën, modelen 30-vjeçare Reeva Steenkamp. 

Pistat e para të çonin thjesht në një incident, por pozicioni i Pistorius rëndohet nga dita në ditë, pasi hetuesit gjetën në apartamentin e tij në Pretoria, një shkop kriketi me shenja gjaku si dhe dëshmitë e fqinjëve se viktima kishte hyrë në shtëpi shumë orë përpara vrasjes së saj. 

Por raportet e fundit të mediave lokale flasin edhe për gjetjen e një sasie të madhe steroidesh dhe substancave të tjera dopuese në shtëpinë e atletit, që vetëm pak ditë më parë ishte ikona e njerëzve me aftësi të kufizuar si dhe mishërimi i një vullneti të hekurt. Sipas mediave në Afrikën e Jugut, Pistorius ka sulmuar të dashurën e tij si pasojë e një shpërthimi inati të amplifikuar edhe nga përdorimi i një koktejli mes steroide dhe alkool. 

Për këtë arsye, hetuesit kanë kërkuar të tjera analiza të gjakut të atletit, që tani rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!