Lopez e lë Casillasin rezervist?

Unknown | Sunday, March 10, 2013 |

Iker Casillas pritet të rikuperohet nga fraktura në dorë brenda pak javësh, por portieri dhe kapiteni i Real Madridit mund ta gjejë veten duke e ngrohur stolin, për shkak të formës së lartë që është duke e treguar zëvendësuesi i tij Diego Lopez. Casillas e ka thyer dorën gjatë ndeshjes së Kupës së Spanjës kundër Valencias të zhvilluar në janar, kur bashkëlojtari i tij Alvaro Arbeloa e goditi në dorë në tentim për ta larguar topin.

Në fillim kishte pasur frikë se kapiteni i Spanjës do të qëndronte jashtë fushe deri në fund të prillit dhe për këtë arsye trajneri i Realit, Jose Mourinho menjëherë e solli portieri Diego Lopez nga Sevilla, si zëvendësim, shkruan Koha Ditore.
Lopez 31-vjeçar, një ish-reprezentues i Spanjës që është produkt i akademisë së Realit dhe ka kaluar pesë vite te Villarreali, është paraqitur për mrekulli të martën mbrëma në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve që Reali e zhvilloi kundër Mancherster Unitedit. Madje falë pritjeve të tij Reali e fitoi atë ndeshje me rezultatin 2:1 dhe u kualifikua pas rezultatit 3:2 pas dy takimeve. Ai po ashtu pati paraqitje të mira edhe në dy fitoret e Realit kundër rivalit të përbetuar Barcelonës, një në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Spanjës dhe një në La Liga.

Casillas nganjëherë është kritikuar për dobësinë e tij për t’i pritur topat e lartë, ndërsa Lopez që është gati dy metra i gjatë, është më efektiv kur vjen te krosimet. Derisa Lopez mund të mos ketë reflekset dhe atleticizmin e Casillasit, ai prapë është një pritës shumë i mirë dhe po ashtu një portier që luan mjaft mirë me këmbë. “Diego Lopez ka ardhur këtu për të performuar”, ka thënë ndihmëstrajneri i Realit, Aitor Karanka. “Ne kemi dy portierë të nivelit më të lartë dhe kjo është mirë për skuadrën. Rikuperimi i Ikerit po shkon mjaft mirë dhe ne shpresojmë që ai të na kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur. Trajneri do të përdorë lojtarët që janë në nivelin më të mirë”.

Edhe menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka thënë se pritjet që bëri Lopez ndaj ‘Djajve të Kuq’, nuk do të mund t’i bënte Casillas. /Fish Media/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!