Arsenali në sulm për Canën
Asport- Mendoni se një kontraktim muskular mund të ndalë një Luftëtar? Lorik Cana është gati të rimarrë vendin e tij në formacionin e Lacios, më saktësisht në qëndër të mbrojtjes.
Deri të martën në mesditë frika për një tërheqje muskulare qarkullonte në infjermerinë e Formelos, por kontrollet e mëtejshme të realizuara nga stafi mjekësor kanë larguar çdo fantazëm. Kapiteni i kombëtares shqiptare është ribashkuar menjëherë me grupin, Petkovic mund të besojë te forca e kapitenit kuqezi për transfertën me shije hakmarrjeje kundër Juventusit. Loriku kërkon një vend titullari në krah të ekspertit Biava, e ndjen të tijën fanellën e titullarit për ndeshjen e rëndësishme të javës së dytë të Serisë A.
Por këto orë të fundit të merkatos ka disa zëra që e shikojnë kapitenin e Shqipërisë larg nga bardhekaltërit e Petkoviç, siç shkruan gazeta prestigjose ‘Gazzetta dello Sport’: Arsenali është hedhur në sulm, ka testuar situatën për të filluar një operacion blic këto orë të fundit të merkatos. Një mundësi me të vërtetë prestigjose, por në Londër Lorik Cana nuk ka të sigurtë mundësinë për të qënë titullar. Një titull që ‘Luftëtari’ dëshiron ta fitojë përfundimisht në Romë, por nuk përjashtohet mundësia e një ‘surprize’ deri në datë 2 shtator, kur mbyllet dhe merkatoja në futbollin italian…
Category: Futboll