Basketboll, Franca rinovon me trajnerin kampion
Avioni më kampionët e Europës në basketboll nuk ishte ulur ende në Paris, por trajneri Vincent Collet kishte dijeni për të ardhmen e tij, ai do të drejtojë kombëtaren transalpine të basketbollit edhe në Olimpiadën Rio 2016.
Edhe pse e drejtoi skuadrën pa “mandat” në finalen kundër Lituanisë, pasi kontrata i kishte përfunduar, drejtuesit e federatës nxituan për të rinovuar besimin ndaj tij sepse paraqitja e bluve në europianin e Sllovenisë meriton një shpërblim të majmë dhe kontrata e re që iu propozua, është qershia mbi tortë.
Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku presidenti Jean-Pierre Siutat pohon se puna e nisur vite më parë u konkretizua me një medalje argjendi në vitin 2011, por u kurorëzua me suksesin historik të Ljubjanës ku për herë të parë, Franca u ngjit në fronin e Europës.
Prania e Vincent në stolin e Francës edhe për të ardhmen ka bindur yllin e San Antonio Spurs, Tony Parker, të ndjekë teknikun edhe gjatë viteve të ardhshme, duke shprehur gadishmërinë e tij për të ndihmuar ekipin kombëtar edhe në një eveniment madhështor si Olimpiada që do të zhvillohet pas tre viteve në Rio de Janeiro.
Category: Basketboll
0 Komente