Klitschko mbron titullin në WBC

dardanmiftari | Sunday, March 22, 2009 | 0 Komente

Vitali Klitschko, vëllai i madh nga dy legjendat e gjalla të boksit, ka mbrojtur titullin në kategorinë WBC, duke mposhtur me nokaut teknik kubanin Juan Carlos Gomez, në meçin e zhvilluar në Stuttgart të Gjermanisë.
Vitali Klitschko dominoi po thuajse të gjitha rundet dhe përfundimisht i dha fund përballjes në rundin e nëntë. Të dy boksierët tentuan të marrin luftën në duar që në rundin e parë, me Gomez që mbase ishte më i saktë. Por derisa rundet kalonin Klitschko filloi të jetë shumë më efektiv duke fituar deri në të shtatin, në të cilin ukrainasi e rrëzoi kubanin.

Në rundin e tetë Klitschko vazhdoi të dëshmojë se ai ishte një boksier shumë më superior dhe Gomez ishte gati të dorëzohet në një moment. Fundi erdhi në rundin e nëntë kur Klitschko rrëzoi sërish Gomez-in dhe megjithëse ky i fundit u ngrit, ukrainasi vazhdoi të godasë dhe referi përfundimisht ndaloi luftën.

Me këtë fitore Klitschko ngrit rekordin e tij në 37 fitore (36 me nokaut), kundrejt 2 humbjeve, derisa Gomez bie në 44-2. Nga afër ndeshjen e përcolli edhe boksieri i famshëm shqiptar, Luan Krasniqi, i cili ishte edhe në cilësinë e komentatorit ekspert për televizionin gjerman RTL.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...