Juventus pa asnjë trofe

dardanmiftari | Wednesday, April 22, 2009 | 0 Komente

Skuadra e Juventusit është turpëruar në Olimpico të Torinos nga ekipi i Lazios, duke u eliminuar kështu edhe nga gara e vetme ku e kishte mundësinë të fitonte një trofe.
Ndeshja kthyese gjysmëfinale e Kupës së Italisë e zhvilluar në Stadio Olimpico të Torinos ndërmjet Juventusit dhe Lazios ka përfunduar me fitoren e skuadrës mysafire, me rezultat prej 2-1.
Mysafirët ishin skuadër shumë më e mirë në gjysmën e parë të ndeshjes me ç’rast arritën edhe te goli i avantazhit. Ishte sulmuesi argjentinas Mauro Zarate lojtari i cili e mposhti Buffonin për të parën herë këtë mbrëmje me një gol shumë të bukur (38’), duke vënë rezultatin përfundimtar të pjesës së parë. Në pjesën e dytë ishin sërish mysafirët të cilët befasuan duke krijuar avantazh të dyfishtë, ndërsa këtë herë portieri vendas u mposht nga Aleksandar Kolarov (52’). Nga momenti i golit të pësuar bardhezinjtë patën iniciativën e plotë në ndeshje, mirëpo nuk arritën më shumë se një gol të cilin e shënoi kapiteni Alessandro Del Piero, pak minuta pasi u inkuadrua në lojë (64’). Edhe më keq për Zonjën e Vjetër shkuan gjërat në minutën e 83-të, kur Mauro Camoranesi u përjashtua me karton të kuq, kështu që juventinët ishin të paaftë të shënonin edhe tre gola për t’u kualifikuar në finale. Lazio në finale do të takohet me fituesin nga përballja Inter-Sampdoria, e cila zhvillohet të enjten mbrëma në Giuseppe Meazza. Skuadra gjenovase ka epërsinë e tre golave nga takimi i parë i zhvilluar në Luigi Ferraris, kështu që ajo konsiderohet skuadra favorite për t’u kualifikuar në finale.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...