Arsenali shkatërron Stoke Cityn
Topçinjtë e Arsenalin kanë shkatërruar ekipin e Stoke Cityt duke e mposhtur me rezultat 4-1 në ndeshjen e fundit të sezonit, të zhvilluar në Emirates.
Topçinjtë kanë kryer punën që në pjesën e parë të ndeshjes. Vendasit kaluan në epërsi pas 10 minutash lojë, kur James Beattie dërgoi topin në rrjetën e vet. Rezultati u dyfishua shumë shpejt më pas kur Robin van Persie fitoi një penalti dhe e shndërroi atë në gol (14’). Edhe goli i tretë i vendasve nuk vonoi shumë, kur Abu Diaby shënoi pas një harkimi të Van Persiet nga gjuajtja e lirë (18’). Pas gjysmë ore lojë u akordua edhe një penalti, kësaj here në anën e kundërt. Denilson fauloi në zonën e rreptësisë Ricardo Fuller, i cili nuk huqi nga pika e bardhë. Por të zgjedhurit e trajnerit Arsene Wenger kryen punën që në pjesën e parë, me Robin Van Persien që shënoi edhe golin e dytë të tij, katër minuta para pauzës mes pjesëve. Ndryshe nga 45 minutat e para, pjesa e dytë nuk rezultoi me asnjë gol të shënuar. Fitorja nuk e ndryshon pozitën tabelare të Arsenalit, që e mbyll sezonin në vendin e katërt me 72 pikë.
Category: Futboll
0 Komente