Goleada galaktike
Real Madridi ka regjistruar fitoren e parë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur si mysafir skuadrën zvicerane Zurich.
Takimi në të cilin u shënuan më së shumti gola të martën mbrëma në kuadër të fazës grupore, ishte ai ndërmjet FC Zurich dhe Real Madrid, që përfundoi me fitoren e Los Blancos me rezultat prej 5-2. Serinë e golave e filloi transferi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, Cristiano Ronaldo, i cili me një goditje nga gjuajta e lirë, i kaloi mysafirët në epërsi (27’). Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve, Raul Gonzalez, dyfishoi epërsinë e Mbretërve (34’). Në minutat shtesë të pjesës së parë, Gonzalo Higuan, shënoi edhe golin e tretë të Mbretërve duke e çuar skuadrën në pushim me epërsi prej tre golave. Në pjesën e dytë, vendasit u kthyen në lojë. Margairaz shënoi nga pika e bardhë (64’), ndërsa një minutë pas Aegerte ngushtoi epërsinë në 3-2. Megjithatë, fuqia e Los Merengues u tregua sërish nëpërmjet portugezit Ronaldo, i cili sërish nga gjuajtja e lirë shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Realin (89’). Rezultatin përfundimtar në ndeshje e vendosi Jose Maria Guti, i cili në minutat shtesë shënoi edhe golin e pestë për mysafirët.
Category: Futboll

















0 Komente