Interi nuk i bën ballë Barcës
Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Barcelona, ka dominuar në ndeshjen e zhvilluar përballë kampionit të Italisë, Inter.
Supersfida e xhiros së pestë e të martës mbrëma është zhvilluar në Camp Nou, ku janë ndeshur Barcelona dhe Inter, në takimin që përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-0. Një pjesë e parë e dominuar kryesisht nga Barcelona me ç’rast loja zhvillohej në gjysmëfushën që i takonte Interit. Blaugranët kaluan në epërsi pas krosimit të Xavit nga këndi, ndërsa realizues ishte mbrojtësi Gerard Pique (10’). Vendasit arritën të shënojnë edhe golin e dytë në pjesën e parë me anë të Pedro Rodriguez (26’), pas një krosimi të bukur të Dani Alves. Në pjesën e dytë u zhvillua një lojë pak më e zbehtë dhe më e baraspeshuar, përkundër se Barca sërish administronte topin, ndërsa nuk u shënuan më gola. Duhet përmendur se në këtë përballje kataluanist luajtën pa lojtarin kryesor Lionel Messi dhe pa ish-sulmuesin e Interit, Zlatan Ibrahimovic. Pas xhiros së pestë, në Grupin F prin Barcelona me tetë pikë që tashmë ka siguruar kualifikimin, ndërsa Interi dhe Rubin Kazani kanë nga gjashtë pikë dhe do të kenë një përballje direkte në xhiron e fundit, e cila do të vendosë se cila skuadër do të shkojë tutje. Por duke mos harruar se edhe Dynamo Kyevi ka gjasa matematikore të kualifikohet.
Category: Futboll
0 Komente