United rikthehet në maje
Manchester United ka mposhtur në udhëtim Bolton Wanderers me rezultat 4-0 për t’u rikthyer në maje të tabelës së Ligës Premier, vetëm disa orë pasi e humbi atë.
Të zgjedhurit e trajnerit Alex Ferguson kaluan në epërsi që në pjesën e parë falë autogolit të Jlloyd Samuel pas harkimit të topit nga Ryan Giggs (39’).
Pjesa e dytë solli edhe tre gola të tjerë për Djajtë e Kuq, dy prej të cilëve nga Dimitar Berbatov. Giggs pasoi për Darren Fletcher, goditja e të cilit ndalohet nga portieri Jaskelainnen, por sulmuesi bullgar reagon shpejtë për të dyfishuar epërsinë e mysafirëve (69’).
Goli i tretë për United dhe i dyti për Berbatov erdhi në minutën e 78-të pas një harkimi nga Nani, ndërsa rezultatin e vulosi një gol i shënuar nga Darron Gibson po ashtu falë një asistimi të portugezit.
Manchester United rimerr kreun me 72 pikë, një më shumë se Chelsea që më herët mposhti Aston Villan me rezultat 7-1. Dy rivalët për titull do të takohen të shtunën e ardhshme në Old Trafford në derbin e Ligës Premier.
Category: Futboll
0 Komente