Bayerni vulos titullin me fitore
Bayern Munich edhe zyrtarisht është shpallur kampion i ri i Bundesligës pasi shënoi fitore me rezultat 3-1 ndaj Hertha Berlinit në ditën e fundit të kampionatit gjerman.
Ivica Olic hapi rezultatin pas 20 minutash lojë, ndërsa vendasit arritën të barazojnë në pjesë të dytë me anë të Ramos (60’). Dy gola të shpejtë të Arjen Robben në 16 minutat e fundit të ndeshjes (74’ dhe 87’) vulosen fitoren e Bayernit. Fitorja ishte e 20-ta e bavarezëve, që e përfundon sezonin me pesë pikë mbi Schalke, që barazoi pa gola në Mainz.
Nga ndeshjet tjera, Werder Bremen ka barazuar në fushë të Hamburg me rezultat 1-1 për të siguruar pozitën e tretë dhe të fundit që dërgon në Ligën e Kampionëve. Hannover ka shënuar fitore 3-0 në fushë të Bochum për ta dërguar këtë të fundit në ligën e dytë.
Ekipi ku aktivizohet kosovari Albert Bunjaku, Nuremberg, mposhti Kolnin me rezultat 1-0 dhe do të shkojë në playoff ku do të përballet me Augsburg, ekipin e tretë të ligës së dytë, në tentim për të luajtur edhe sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit gjerman.
Category: Futboll
0 Komente