Ronaldo, hero i Realit
Lojtari më i shtrenjtë në botë, Cristiano Ronaldo, është treguar vendimtar në ndeshjen e cila u zhvillua në Santiago Bernabeu të dielën mbrëma, ndërmjet Real Madridit dhe Osasunës, të cilën Reali e fitoi me rezultat 3-2.
Edhe pse Reali ishte ekipi i cili pothuajse gjatë gjithë kohës dominonte në fushë, ishte Osasuna ekipi që hapi serinë e golave. Ishte C.R. Aranda i cili e shfrytëzoi për mrekulli një gabim të Raul Albiolit duke mposhtur portierin më të mirë në botë Iker Casillas (7').
Pas rasteve të shumta që pati Real Madridi, Cristiano Ronaldo bëri një depërtim të mrekullueshëm në zonën e rreptësisë dhe në fund shënoi golin e barazimit (24').
Atëherë kur pritej se Reali do të shënonte golin e epërsisë, Vadocz pas një asistimi të Arandas kaloi Osasunën në epërsi për të dytën herë.
Mirëpo, nuk vonoi shumë, Reali përsëri barazon rezultatin përmes Marcelos i cili shënoi me kokë pas një krosimi të bukur në zonë.
Me të filluar pjesa e dytë pritej që Reali të kalonte në epërsi për herë të parë në këtë ndeshje, por ishte një gol i vonë i shënuar nga Cristiano Ronaldo (89'), i cili edhe një herë dëshmon se pse është lojtari më i shtrenjtë në botë.
Me këtë fitore, Reali ende mbetet në garën e rreptë për titull me një pikë më pak se kryesuesi i tabelës, Barcelona, kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje deri në përfundimin e kampionatit. /sportisot/
Category: Futboll
0 Komente