Nis e gara e makinave Rally Albania 2010
Gara e makinave, “Rally Albania 2010”, ka filluar të dielën nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", në Tiranë, për të përshkuar më pas rrugët e Shqipërisë. Në garë këtë vit marrin pjesë 260 garues nga 12 shtete, si Italia, Greqia, Spanja, Gjermania, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Austria, Bullgaria, Polonia, Zvicra dhe Shqipëri.
"Rally Albania" do të përshkojë rrugët në 60 për qind të territorit të Shqipërisë dhe ndër garuesit do të ketë edhe pjesëmarrës me eksperiencë, që kanë konkurruar edhe në gara të tjera të këtij lloji nëpër botë.
Në këtë edicion do të marrë pjesë një garues që ka dalë 5 herë kampion në garën Rally “Paris - Dakar” në motocross. Do të ketë një ekip që ka marrë pjesë me makinë 4x4 në garën “Rally Paris – Dakar”. Gjithashtu, në këtë garë do të jetë edhe kampioni i Europës për motocross në vitin 2009.
Ceremoninë e nisjes së garës që është e dyta në Ballkan për nga madhësia dhe nga pjesëmarrja, e përshëndeti edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke e konsideruar këtë një ngjarje të madhe për Tiranën dhe Shqipërinë.
“Erdha për t'ju përshëndetur në këtë ngjarje të madhe për Tiranën dhe Shqipërinë. Një grup njerëzish që vijnë nga e gjithë bota do të garojnë, në fakt më mirë të themi, do të luftojnë në territoret e këtij vendi, ku vetëm pak njerëz ngasin në këtë mënyrë, pasi nuk kanë aftësitë, guximin dhe angazhimin tuaj të forte për të zbuluar zonat më të largëta, por mbi të gjitha për të zbuluar bukuritë e këtij vendi. Prandaj erdha për t’ju përshëndetur më përzemërsisht dhe për t’ju uruar një turne madhështor në udhëtimin tuaj ekzaltues. Atëherë Zonja dhe Zotërinj: Ndizni motorët!”, tha në përshëndetjen e tij Berisha.
Category: Rally
0 Komente