Zyrtare: Benitez largohet nga Liverpooli
Liverpooli ka konfirmuar edhe zyrtarisht se menaxheri Rafael Benitez do të largohet nga posti i kryetrajnerit të The Reds, me dëshirë të të dyja palëve.
Zyrtarët e klubit janë tejet të hidhëruar në Benitezin për shkak të sezonit të dështuar, ndërsa kontratën e tij pesëvjeçare të vlefshme prej 16 milionë funtesh, do ta kompensojnë me një shumë prej 3 milionë funtesh. Liverpooli është vënë menjëherë në kërkim të pasuesit të teknikut spanjoll.
“Zotëri Benitez është larguar nga pozita e tij si menaxher i ekipit, pas gjashtë vitesh, ndërsa klubi dëshiron t’i bëjë falënderimet më të mëdha për shërbimet e tij dhe t’i dëshirojë çdo të mirë në karrierën e tij në të ardhmen”, shkruan në komunikatën e lëshuar në faqen zyrtare.
“Është shumë pikëlluese për mua që të bëj të ditur se unë nuk do të jem më menaxher i Liverpoolit. Unë do të doja të falënderoja gjithë stafin dhe lojtarët për mundin e tyre. Unë nuk gjej fjalë se si t’iu falënderoj për këto vite të kaluara dhe jam krenar të them se kam qenë menaxheri juaj. Ju faleminderit shumë dhe mos harroni: ‘You’ll never walk alone’ (motoja e Liverpoolit)”, u shpreh Benitez pak pas konfirmimit.
Category: Futboll
0 Komente