Juve dështon të fitojë
Juventusi nuk ka arritur të shënojë fitore para tifozëve të vet përballë Lech Poznan, në kuadër të Grupit A të Europa League.
Zonja e Vjetër u befasua dy herë nga Artjoms Rudņevs (14’ dhe 30’), i cili krijoi epërsi të dyfishtë për polakët.
Në fund të pjesës së parë (45’+1), Giorgio Chiellini shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes mysafire pas një asisti të Alessandro Del Pieros për ta kthyer Juven në lojë.
Në minutat e para të pjesës së dytë (50’), Chiellini realizoi edhe golin e dytë për bardhezinjtë pas një krosimi nga këndi të kapitenit Del Piero.
Alex Del Piero dëshmoi se edhe në moshë 35-vjeçare është sulmuesi kryesor te Juventusi kur nga 27 metra la të shtangur portierin Kotorowski, për të kaluar vendasit për herë të parë në epërsi.
Mirëpo, mysafirët nuk kishin ardhur të mposhteshin, ashtu që në minutat shtesë shënuan golin e tretë dhe barazuan rezultatin për të nxjerrë një pikë të artë nga ky takim, ndërsa Rudņevs kompletoi het-trikun e tij me një gol të jashtëzakonshëm.
Në takimin tjetër të grupit A, Manchester City ka shënuar fitore prej 2-0 si mysafir i RB Salzburg, ndërsa realizues ishin David Silva (6’) dhe Jo (63’).
Nga takimet tjera veçojmë humbjet e Atletico Madridit, Villarrealit dhe Palermos, ndërkohë Bayer Leverkusen ka shënuar fitore të lartë prej 4-0 kundër Rosenborgut.
Category: Futboll
0 Komente