Barcelona shijon kreun
Lionel Messi ka shënuar dy gola dhe David Villa një tjetër, derisa Barcelona ka arritur fitore 3-1 në derbin përballë Villarrealit të zhvilluar në Camp Nou, për të marrë kreun La Ligës.
Të zgjedhurit e trajnerit Pep Guardiola kaluan në epërsi pas 22 minutash lojë kur pas një asistimi të Andres Iniesta, David Villa mposhti portierin Diego Lopez. Por mysafirët arritën të barazojnë katër minuta më pas me anë të Nilmar (26’).
Pjesa e dytë po ashtu filloi vrullshëm për Blaugranët, të cilët pas më pak se një ore lojë (58’) rikthyen epërsinë. Pas një gjuajtje të lirë të hedhur në lojë shpejt, Xavi gjen Messin, i cili pas një bashkëveprimi me Pedro dërgon topin në rrjetë nga një kënd i vështirë.
Superylli argjentinas shënoi edhe një gol tjetër më vonë, kur pas një goditje të Pedro, topi i devijuar arrin te Messi, i cili nuk fal për të shënuar golin e 19-të në 16-të ndeshje, dhe të dhjetin në nëntë ndeshje në kampionatin spanjoll këtë sezon.
Barcelona tash shijon kreun me 28 pikë, por rrezikon ta humbasë nesër, kur Real Madridi, që ka dy pikë më pak, udhëton te Sporting Gijon.
Category: Futboll
0 Komente