Mourinho: Nuk e ndryshoj stilin

dardanmiftari | Sunday, November 28, 2010 | 0 Komente

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka deklaruar në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Barcelonës që zhvillohet të hënën në Camp Nou, se ai nuk ka ndërmend ta ndryshojë stilin e lojës së skuadrës së tij.
“El Classico natyrisht se do të jetë një ndeshje e rëndësishme sepse do të luajmë ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejtë. Pikët të cilat ne mund t’i marrim mund të jenë të lëshuara për ta. Tek e fundit, çfarëdo që ndodh të hënën, mbeten edhe 25 ndeshje tjera në La Liga. Unë pres një ndeshje të bukur, në të cilën lojtarët do t’i ndihmojnë gjyqtarit dhe futbolli i vërtet do të jetë në qendër të vëmendjes”.
“Ne nuk do të ndryshojmë metodat tona të punës për Barcelonën apo për ndonjë ekip tjetër. Ne kemi respektin e njëjtë për të gjithë kundërshtarët tanë. Barcelona mund të jetë më e mirë se ekipet tjera në La Liga, por ne kemi respektin e njëjtë për të gjithë dhe ne gjithnjë shikojmë në dobësitë e kundërshtarit”, theksoi Mou.
Mourinho gjithashtu e mohoi faktin se skuadra e tij është favorite duke thënë: “El Classico nuk fitohet nga ekipi që është në formën më të mirë, apo statistikat më të mira. Motivimi për këto ndeshje është i ndryshëm. Është e vështirë për mua të them se unë jam favorit për të fituar vetëm pse jam në një pozitë më të mirë”.
“Unë nuk e shoh në këtë mënyrë. Përvoja ime në derbi dhe në ndeshjet klasike më thotë diçka tjetër. Unë nuk e kam të njëjtën adrenalinë sikurse në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, në të cilat çdo disfatë do të thotë ta shikosh fazën tjetër nga televizori”.
Ekipi i Mourinhos ende nuk ka pësuar në asnjë ndeshje këtë sezon, por Mourinho thotë se ata janë të përgatitur për disfatën, nëse ajo ndodh.
“Ekipi im është mirë i përgatitur psikologjikisht që në rast të disfatës, të ketë besim për të fituar ndeshjet tjera. Që të fitosh një titull duhet të luash dhjetë muaj në nivelin më të lartë. Unë nuk dua që disponimi të ndryshojë nëse fitojmë apo humbasim. Unë do të mbes i qetë pas ndeshjes, pa marrë parasysh çfarë ndodh”.
Portugezi foli edhe për pritjen e nxehtë që do t’ia bëjnë katalanasit në Camp Nou, duke thënë se atij nuk i intereson kjo aspak.
“Unë do të doja të rikthehsha te Barcelona si trajner i Real Madridit, për shkak se kjo do të thoshte se do jem këtu edhe për shumë vite tjera falë rezultateve të mira. Unë nuk shoh ndonjë trajner të merakoset për atë se si do të pritet. Përqëndrimi im nuk do të jetë i luhatur pa marrë parasysh nëse ata do të jenë kundër meje. Nuk më intereson. Unë vetëm dua të luaj futboll dhe të kënaqem. Kjo është e tëra”.
Gjyqtari Iturralde Gonzalez njihet në qarqet madrilene si përkrahës i Barcelonës, ndërsa për gjyqtarin e nesërm i ftohtë shprehet “The Special One”.
“Unë nuk brengosem për referimin. Mendoj se gjyqtari Iturralde Gonzalez është tifoz i gjyqtarëve dhe jo i Barcelonës. Do të jetë më lehtë për të që ta bëjë punën e tij nëse lojtarët e ndihmojnë. Do të jetë më e vështirë për të nëse ata nuk e ndihmojnë. Qëllimi ynë është ta ndihmojmë gjyqtarin”, përfundoi deklaratën e tij, Jose Mourinho.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...