Reali ende pa fitore kundër Lyonit
Olympique Lyonnais dhe Real Madridi janë ndarë baras, 1-1, në takimin e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma në Stade de Gerland.
Në gjysmën e parë u zhvillua një ndeshje mjaft dinamike, e balancuar, por pa raste konkrete shënimi.
Rastin më të mirë për Mbretërit e pati Cristiano Ronaldo nga gjuajtja e lirë, por goditjen e tij e ndali portieri Hugo Lloris (31’).
Ndërkaq, për vendasit shansin më të mirë për të shënuar e pati Bafetimbi Gomis, mirëpo goditja e tij përfundoi mbi portë (34’).
Los Blancos e filluan furishëm pjesën e dytë duke goditur njëherë shtyllën pingule (Ronaldo) dhe njëherë transversalen (Sergio Ramos), mirëpo Lyoni reagoi shpejtë për të neutralizuar mysafirët.
Inkuadrimi në lojë i Karim Benzemas rezultoi mjaft i suksesshëm për Los Merengues, të cilët arritën te goli i avantazhit. Mesut Oezil pasoi te Ronaldo që gjeti francezin Benzema, i cili dënoi ish-skuadrën e tij vetëm një minutë pasi u inkuadrua në lojë (65’).
Mirëpo, pas një goditjeje të lirë të Yoann Gourcuff, Cris pasoi me kokë te Bafetimbi Gomis, i cili nga afërsia mposhti portierin Casillas për të barazuar shifrat (83’).
Ky rezultat është i favorshëm për Mbretërit, kur dihet se ndeshjen kthyese e zhvillojnë para tifozëve të vet, mirëpo gjithçka është e hapur duke qenë se Lyoni është gjithmonë kundërshtar i papërshtatshëm për Realin.
Category: Futboll
0 Komente