Barcelona kampione evropiane

dardanmiftari | Saturday, May 28, 2011 | 0 Komente

Me rezultat prej 3-1, Barcelona e ka mposhtur Manchester Unitedin në finale të Ligës së Kampionëve, për t’u shpallur kampion i ri i Evropës për klube.
Dy gjigantët e futbollit botëror të shtunën mbrëma u takuan për të zhvilluar finalen e garës më të madhe evropiane për klube. Në stadiumin e Wembleyt u takuan dy filozofi të ndryshme të futbollit- Manchester United që prezantonte futbollin tipik anglez dhe Barcelona me stilin e vet të dominimit të lojës.Dhjetë minutat e para të takimit i takuan skuadrës nga Liga Premier, e cila dominoi lehtësisht, por nuk arriti të krijonte raste për t’u përmendur. Ndërkaq, pas kësaj periudhe Blaugranët e morën topin në këmbët e tyre duke krijuar një mori rastesh, pas të cilave arritën të realizojnë.
Ishte Pedro Rodriguez lojtari që ndëshkoi Van der Sarin (27’), pasi pranoi një top nga mjeshtri i pasimeve, Xavi Hernandez.
Derisa katalunasit vazhdonin me menaxhimin e topit, numri dhjetë i Djajve të Kuq, Wayne Rooney, krijoi një aksion duke kombinuar me Javier Hernandezin dhe duke realizuar një gol të bukur kundrejt Victor Valdesit (34’).Spanjollët e filluan më mirë fraksionin e dytë të lojës dhe nuk kaloi shumë kohë, kur ata rikthyen avantazhin. Ishte lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi, ai që gjeti hapësirë nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit për ta plasuar topin në rrjet, ashtu si di vetëm ai (54’).Barca vazhdoi të tregonte magjinë me kalimin e minutave, ndërsa radha i erdhi David Villas për të shënuar një supergol (69’), padyshim golin më të bukur në këtë finale.
Minutat në vijim ishin sa për t’u shpenzuar, pasi United humbi shpresat për ndryshim të rezultatit, ndërsa katalunasit nuk dëshironin më shumë.
Në këtë mënyrë, Barcelona shpallet kampion pas triumfit në Ligën e Kampionëve për sezonin 2010/2011, ndërsa ky është trofeu i katërt në histori të Blaugranëve në këtë garë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...