Mourinho i jep fund heshtjes
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, më në fund e ka thyer heshtjen duke lansuar një sulm të freskët drejt Barcelonës dhe ka kërkuar që në sezonin e ardhshëm të ketë më shumë lojë fer në La Liga dhe Evropë.
Portugezi nuk ka folur për mediat që kur UEFA e dënoi me pesë ndeshje mosparaqitje në futbollin evropian, pas gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.
Ndërsa tani, ai e ka shfrytëzuar rastin që t’ua dërgojë një mesazh tifozëve madrilenë dhe UEFA-s, përmes një komunikate të lëshuar të hënën në faqen zyrtare të Los Blancos.
48-vjeçari ka kërkuar që të mos harrohen principet bazë në futboll, të cilat sipas tij, ishin harruar gjatë sezonit 2010/2011.
Portugezi ka thënë se nuk duhet vetëm të flitet për lojë të drejtë, porse të veprohet, sikurse do të ishte dhënia e kartonit të kuq ndaj Busquetsit që e ofendoi Marcelon në baza racore.
Ai po ashtu i ka falënderuar tifozët e Realit për mbështetjen që i kanë dhënë klubit.
Category: Futboll
0 Komente