Taiwo: Nuk kam frikë të luaj për Milanin
Mbrojtësi i Marseille, Taye Taiwo, është i bindur se ai mund të ketë sukses te kampioni i Italisë, Milani.
26-vjeçari pritet t’i bashkohet ish-kampionit të Evropës gjatë verës si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij aktuale me klubin francez skadon. Taiwo tashmë ka kaluar testet mjekësore dhe është pajtuar për një marrëveshje trevjeçare, dhe mezi pret aventurën në Itali.
“Nuk kam frikë të luaj për Milanin. Kam qenë askush kur kam arritur për të parën herë te Marseille, por kam qenë në gjendje ta imponoj veten. Rossonerët janë një prej klubeve më prestigjioze në botë, së bashku me Manchester United dhe Chelsea”.
“Jam vërtet entuziast për të luajtur krahas Zlatan Ibrahimovic, Alexandre Pato dhe Clarence Seedorf. Do të punoj fuqishëm çdo ditë. Pastaj do t’i takojë trajnerit të vendosë si dhe kur do të më shfrytëzojë mua në ekip”, ka thënë Taiwo.
Taiwo ka kaluar gjashtë vite me Marseille dhe zyrtarisht do të bëhet lojtar i Milanit më 1 korrik.
Category: Futboll
0 Komente