Visca El Barça!

dardanmiftari | Thursday, August 18, 2011 | 0 Komente

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi Barcelona ka shënuar fitore të madhe prej 3-2 para 100 mijë tifozëve Blaugranë në SuperClasicon kthyese të Superkupës së Spanjës ndaj Real Madridit, duke u shpallur dhe kështu fituese e trofeut veror.
Pasi ndeshja e parë përfundoi me rezultat të barabartë 2-2, ndeshja kthyese në Camp Nou garantoi spektakël. Jose Mourinho vendos të startojë me Coentraon, duke lënë në pankinë Marcelon, që ishte i vetmi ndryshim dhe gabim për dallim me ndeshjen e parë.
Cesc Fabregas debutoi në këtë takim, por vetëm pas inkuadrimit në minutën e 82-të, pasi startues ishte Busquets, ashtu si Xavi që ishte titullar. Sanchez nuk luajti, por në vend të tij u inkuadrua Pedro. Pjesa e parë filloi shumë nxehtë, Real Madridi natyrisht me dominimin. Pas disa gjysmëtentimeve, e rrezikshme fillon të shfaqet Barcelona.
Një super depërtim i Lionel Messit bëri që futbollisti më i mirë në botë të lansojë një pasim hyjnor për Andres Iniestan i cili u hap edhe më bukur për ta parabolluar portierin Iker Casillas dhe për të shënuar golin e parë në këtë takim, 1-0 pas 15 minutash lojë.Real Madridi kundërpërgjigjet shumë shpejtë. Një goditje nga këndi e ekzekutuar mirë nga Angel Di Maria e gjen Karim Benzeman, i cili pas goditjes së tij të devijuar e gjen të vetmuar Cristiano Ronaldon që shënoi për 1-1 (20’). Të gjithë menduan se ishte pozicion jashtë loje, por në të vërtetë nuk ishte, pasi Benzema goditi, nuk pasoi dhe ajo goditje ndërroi drejtim, gjë që bjen në kundërshtim me rregullat e ‘ofsajdit’.
Los Blancos vazhdojnë me dominimin e plotë të sfidës. Rastin më të mirë në vazhdim të pjesës së parë e kishte Cristiano Ronaldo, që lansoi një goditje të fuqishme nga distanca, por golin CR7 ia mohuan Victor Valdes dhe transverzalja. Ishte ky aksioni i vetëm i rrezikshëm i Ronaldos në këtë takim, pasi Daniel Alves e bëri portugezin që të dyshojë në aftësitë e tij, për shkak se e ndali në çdo të vetmin aksion.Dhe rivalin e tij të përbetuar njeriu i ndeshjes, Lionel Messi e gjunjëzon kur Gerard Pique pas një harkimi nga këndi e gjen me finte ‘el Messiah’, që me mjeshtri të madhe shënoi për 2-1 në fund të pjesës së parë.
Pas një pjese të parë plot spektakël futbollistik, në pjesën e dytë shohim një lojë shumë më agresive. Shumë kartona të verdhë dhe pak futboll kemi parë deri në minutat përfundimtare të takimit.Pas një goditje nga këndi në zonë para katër lojtarëve të vijës së parë të mbrojtjes se Barcelonës u gjend francezi Karim Benzema që shënoi (82’) për 2-2 dhe gëzimin e madh të tifozëve të Realit, të cilët i kishin planifikuar pijet për vazhdimet.
Por, planet e tifozëve të Real Madridit i prishi debutuesi Cesc Fabregas. Pas nderimit dhe lotëve me inkuadrimin e tij menjëherë pas golit të Benzemas, ishte Cesc asi që nisi aksionin e golit vdekjeprurës për Merengezët.
Aksioni i nisur nga ish-kapiteni i Arsenalit së bashku me Adrianon bëri që Lionel Messi i ndihmuar nga dy të lartpërmendurit të realizojë golin fatal dhe njëkohësisht ta shpallë veten si lojtar të ndeshjes (88’), ashtu si ta rikonfimojë se është lojtari më i mirë në botë, me golin që vendosi rezultatin përfundimtar prej 3-2.
Sa për të shtuar nervozën në fund Marcelo (90’) u ndëshkua me karton të kuq, duke përfunduar ndeshjen në dush. Ndërhyrja e brazilianit ndaj debutuesit Cesc Fabregas ishte brutale, gjë që shkaktoi reagimin e pankinës së Barcelonës që më pas u kacafyt me pankinën e Realit. Si pasojë me të kuq u ndëshkuan edhe David Villa dhe Mesut Ozil, të dy pa qenë në lojë fare, duke e bërë ndeshjen skandaloze.
Ndeshjen skandaloze e bëri edhe Jose Mourinho, që gjatë tensionimit të situatës, shkoi prapa pankinës së Barcelonës dhe e bëri një gjest qesharak drejt ndihmëstrajnerit të Barcelonës Tito Vilanova, duke shtuar edhe më tej tensionet.
Kështu Barcelona përkundër mungesës së superioritetit mbi Real Madridin, rikonfirmon primatin në futbollin spanjoll me Superkupën e fituar. Nga ana tjetër, Real Madridi i Cristiano Ronaldos dhe Jose Mourinhos ka dështuar që të gjunjëzojë Barcelonën, por një gjë është ë sigurtë – sezoni i ardhshëm në La Liga do të jetë shumë, shumë i nxehtë...

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...