Chelsea mbron nderin anglez (VIDEO)

dardanmiftari | Wednesday, March 14, 2012 | 0 Komente

Chelsea ka arritur të mbrojë nderin e futbollit anglez në Ligën e Kampionëve, duke arritur të kualifikohet pas vazhdimeve ndaj Napolit, në një ndeshje tejet interesante të zhvilluar në Stamford Bridge.

Ndeshja e parë përfundoi me rezultat 3-1 për Napolin dhe në ndeshjen e dytë Chelsean e priste një mision i vështirë, të cilin Blutë përkundër krizës menaxheriale dhe të rezultateve, arritën ta mbyllin me sukses me rezultat të përgjithshëm prej 5-4 pas një drame të vërtetë.

Pjesa e parë ishte në fillim mjaft e baraspeshuar, me mysafirët të cilët kishin më shumë besim. Napoli shfaqet rrezikshëm me anë të Cavanit, duke kërkuar golin e rëndësishëm.

Sidoqoftë, atë që nuk e bënë mysafirët e bënë vendasit të cilët u kthyen ngadalë në lojë. Një harkim fantastik të Ramires në mënyrë edhe më fantastike e shfrytëzoi Didier Drogba (28’), i cili si vigan kërceu për të shënuar për 1-0 dhe epërsinë e Chelseat.Në vazhdim të pjesës së parë Chelsea merr edhe më shumë zemër për të shënuar gola, por përkundër rasteve Blutë nuk ia arritën.

Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan. Që në fillim të fraksionit të dytë, ikona John Terry realizoi për 2-0 (47’) dhe ringjalljen e kohërave të vjetra në Stamford Bridge.
Sidoqoftë, Napoli nuk u zbraps. Pas një tollovie në zonë ishte Gokhan Inler ai që me një goditje fantastike shënoi për 2-1 dhe rikthimin e italianëve në lojë.

Presioni pas këtij goli në portën napolitane shtohet dukshëm, me Blutë e Londrës të cilët bënë çmos për të shënuar.Këtij qëllimi ata edhe ia arritën, duke shënuar nga penaltia me anë të Frank Lampard, i cili realizoi për 3-1.
Ky rezultat nuk i përshtatej asnjë prej ekipeve dhe Chelsea ishte ekipi që insistoi me anë të disa rasteve të qind për qindta, duke përfshirë edhe një volej të Drogbës të cilin e ndali De Sanctis.
Me këtë rezultat mbaroi koha e rregullt, kurse në vazhdime skuadrat zhvilluan një lojë kryesisht të baraspeshuar.
Dhe në vazhdime ishte Chelsea që arriti të shënojë me anë të Ivanovic për 4-1 dhe fitoren e madhe të kualifikimit të ekipit të vetëm anglez në çerekfinale.

Chelsea është ekipi i vetëm anglez që ka mbetur në Ligën e Kampionëve, krahas Milanit që mbeti përfaqësuesi i vetëm i Serie A.

Skuadrat e kualifikuara në çerekfinale të Ligës së Kampionëve janë: APOEL Nciosia (Qipro), Chelsea (Angli), Bayern (Gjermani), Barcelona (Spanjë), Real Madrid (Spanjë), Benfica (Portugali), Marseille (Francë).

Shorti hidhet të premtën në Nyon të Zvicrës dhe nuk ka kufizime për duelet – mund të shohim lehtë edhe El Clasico.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...