LK, prioritet i Bayernit
Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka lënë të kuptohet se skuadra e tij është e fokusuar më shumë në Ligën e Kampionëve sesa në Bundesliga apo DFB Pokal.
Bavarezët janë tetë pikë prapa Borussia Dortmundit dhe thuajse e kanë humbur garën për titullin e kampionit të Gjermanisë, pasi kampionit në fuqi i duhet vetëm një fitore për të triumfuar edhe matematikisht.
Po ashtu, Bayerni dhe Dortmundi do të përballen edhe në finale të Kupës së Gjermanisë (12 maj), megjithatë Hoeness i ka dhënë përparësi garës më të madhe evropiane për klube.
“Në fillim të sezonit, po të më pyesnit se çfarë do të preferoja të fitoj në mes të Bundesligas dhe arritjes në finale të Ligës së Kampionëve në Munih, mund t’ia qëlloni se cila do të ishte përgjigja ime”, citon AS fjalët e Hoeness.
Të martën mbrëma Bayern Munichu është nikoqir i Real Madridit në Allianz Arena për të zhvilluar ndeshjen e parë në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Category: Futboll
0 Komente