Drogba: Gjithmonë në zemrën time!

dardanmiftari | Tuesday, May 22, 2012 | 0 Komente

Didier Drogba dhe Chelsea kanë konfirmuar se sulmuesi nga Bregu i Fildishtë do të largohet nga Stamford Bridge pas skadimit të kontratës së tij në qershor.

34-vjeçari u transferua te Blutë para tetë vitesh nga Marseille, ndërsa ka qenë njeriu kyç në triumfet e Chelseat duke fituar tre tituj të Ligës Premier, katër të FA Cup, dy të League Cup dhe së fundmi edhe Ligën e Kampionëve.

“Ka qenë një vendim shumë i vështirë për mua dhe jam shumë krenar për çfarë kemi arritur, por tash është koha për një sfidë të re për mua. Si ekip kemi arritur shumë dhe kemi fituar secilin trofe të mundshëm”.

“E shtuna ishte një moment i veçantë për të gjithë te klubi dhe për të gjithë tifozët, dhe unë jam shumë krenar të kem luajtur rol në sjelljen e aq shumë trofeve te ky klub, i cili ka qenë shtëpia ime në tetë vitet e fundit”.

“Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë te klubi, sidomos Roman (Abramovichin) dhe bashkëlojtarët e mi, shumë prej të cilëve më janë bërë miq të ngushtë dhe do të jenë miqtë e mi përgjithmonë”.

“Gjithashtu dua të shpreh një falënderim të veçantë për tifozët e Chelseat, të cilët më kanë shfaqur aq shumë dashuri dhe mbështetje gjatë viteve”.

“Ia uroj gjitha të mirat klubit dhe të vazhdojë sukseset në të ardhmen – gjithmonë do të jeni në zemrën time”, ka thënë Drogba për faqen zyrtare të Chelseat.

Ndërkaq, shefi ekzekutiv i Bluve, Ron Gourlay, e ka thënë se Drogba është padyshim një legjendë e klubit dhe “gjithmonë do të jetë pjesë e familjes së Chelseat”.

Didier Drogba ka regjistruar 341 paraqitje për Chelsean duke shënuar 157 gola dhe është golashënuesi i katërt më i mirë në histori të klubit londinez.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...