Spanja në finale

dardanmiftari | Wednesday, June 27, 2012 | 0 Komente

Kombëtarja spanjolle është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian – Euro 2012, pasi në gjysmëfinale e ka eliminuar Portugalinë pas ekzekutimit të penaltive.

Ishte një lojë mjaft atraktive në gjysmën e parë me lëvizje herë në njërën e herë në anën tjetër të fushës, megjithatë munguan rastet e vërteta për të shënuar. Të dyja palët krijonin presion herë pas here, por mund të thuhet se loja ishte mjaft taktike me kujdes të posaçëm në fazën e mbrojtjes.

Sa u përket spanjollëve mund të përmendim goditjet e Arbeloas dhe Iniestas jashtë portës, ndërkohë që Ronaldo ka mundur të bëjë më shumë në disa raste. Edhe gjysma e dytë e takimit ishte e ngjashme me atë të parë me një përqendrim maksimal të lojtarëve të të dyja përfaqësueseve.

Një lojë e zhvilluar kryesisht në mesfushë me shumë pak raste konkrete për të shënuar, derisa ekipet pritnin gabimin e palës tjetër për ta ndëshkuar. Ndërkohë që kampioni në fuqi nuk po e ndërtonte lojën e vet të zakonshme, Cristiano Ronaldo dështoi që në fund të kohës së rregullt t’ia siguronte finalen kombëtares së tij.

Pjesa e parë e vazhdimeve ishte në favor të spanjollëve, të cilët patën një rast shumë të mirë shënimi përmes Andres Iniestas, ndërsa shumë afër ishte edhe gjuajtja e lirë e Sergio Ramos.

Furia e Kuqe luajti më mirë edhe në pjesën e dytë të vazhdimeve, ndërsa rastin më të mirë e pati Pedro, i cili nuk u tregua i shpejtë sa duhet.

Sido që të jetë, pas 120 minutave rrjetat heshtën dhe u desh që të ekzekutoheshin penaltitë për ta përcaktuar finalistin e parë. Pas ekzekutimit të penaltive, më të saktë u treguan lojtarët spanjollë, të cilët në finale do ta presin fituesin e duelit mes Gjermanisë dhe Italisë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...