Murray fiton trofeun e parë të madh

dardanmiftari | Tuesday, September 11, 2012 | 0 Komente

Andy Murray është bërë britaniku i parë pas 76 vitesh që ka fituar një titull të madh, pasi mposhti kampionin në fuqi Novak Djokovic për të fituar finalen epike të US Open.

Skocezi, i cili ishte mposhtur në katër finalet e mëhershme Grand Slam në të cilat kishte arritur, ia ka dalë të fitojë trofeun e parë të madh në tentimin e pestë duke mposhtur serbin 3-2 në sete (7-6, 7-5, 2-6, 3-6, 6-2) në përballjen e zhvilluar në Arthur Ashe Stadium.

Me të dy djelmoshat që nuk arrinin të kontrollonin topin si pasojë e erës së stuhishme, dhe duke luftuar lodhjen e ndeshjes së gjatë që doli të barazojë rekordin e mëhershëm (finalja e vitit 1988) si finalja më e gjatë në US Open me kohëzgjatje katër orë e 54 minuta, Murray doli triumfues.

Pasi humbi dy setet e para, Djokovic përmirësoi lojën e tij për të fituar dy setet e radhës, Por, Murray nuk zhgënjeu tifozët e mbledhur në fushë, përfshirë edhe aktorin Sean Connery dhe menaxherin e Manchester United, Sir Alex Ferguson, për të fituar setin e pestë, vendimtar.

“Dëshmova se mund të fitoj Grand Slam turne. Dhe dëshmova se mund të duroj katër orë e gjysmë dhe të dal më i mirë se një prej djelmoshave më të fuqishëm fizikisht që tenisi mbase ka parë, veçanërisht në një sipërfaqe si kjo”.

“Kam mësuar të mos dyshoj në vete fizikisht dhe mentalisht nga tash. Jam i sigurt se kjo do të ketë një ndikim pozitiv në mua në të ardhmen”, ka thënë Murray pas triumfit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...