Besa, sfida delikate e Vllaznisë për të ardhmen

Unknown | Thursday, November 15, 2012 |


Nga Gjergj KOLA
Nëse shkodranët nuk marrin në ndeshjen e radhës me kavajasit atëherë gjërat do të përkeqësohen dhe objektivi sezonal do të komplikohet
Ndeshja e kësaj fundjave me Besën është e një rëndësie shumë të madhe për Vllazninë. Në rast se ajo do të pësojë një tjetër humbje, sigurisht që gjërat do të përkeqësohen, sepse do të ishte humbja e tretë radhazi në kampionat. Kuptohet që një situatë të tillë nuk e dëshiron askush, madje ka shumë besim se gjërat mund të ndryshojnë. Futbollistët mendojnë se i kanë mundësitë për ta ndryshuar këtë situatë të krijuar.
Po ashtu edhe stafi drejtues. Atyre u duhet mbështetje nga tifozët dhe nga drejtuesit. Mbase për këtë ndeshje, më shumë se për të gjitha të tjerat, duhet edhe vënia e një shpërblimi për t’i ndihmuar më tepër futbollistët e Vllaznisë. Pra, duhet përqendrim maksimal për këtë ndeshje, paçka se kjo nuk po shihet ashtu siç duhet, duke nisur nga trajneri, i cili prej tre ditësh nuk është në stërvitje me ekipin.
Formacioni Për këtë ndeshje pritet të kthehet në formacion mesfushori Dragoi, i cili është një plus i madh. Përveç tij, do të kthehet nga skualifkimi mbrojtësi Semina. Me këto dy rikthime duhet parë se çfarë do të ndodhë me formacionin. Dragoi do të zërë vend në krahun e djathtë të mesfushës, ndërsa Hajdari do të kalojë në të majtë dhe Deliç pritet të luajë si sulmues i dytë, pas Hysës ose Rexhës.
Kthimi i Deliçit prapa natyrisht që do të bëjë që të ketë edhe lëvizje në mesfushë. Njëri mes Belishës dhe Demës, të cilët kanë luajtur ndeshjen e fundit në qendër të këtij reparti, do të përfundojë në stol. Edhe për kthimin e Seminës ende nuk është shumë e qartë, nëse ai do të luajë nga minuta e parë në krahun e majtë të mbrojtjes. Për këto dilema, ai që do të vendosë sigurisht që është trajneri Duro.
Besa Skuadra kavajase, pas humbjes në Kukës, do të kërkojë kthesën. Sfida e kësaj fundjave konsiderohet shumë e rëndësishme dhe me siguri që barazimi nuk i bën punë asnjërës skuadër. Kush do të fitojë? Sigurisht, skuadra që do të tregojë më tepër grintë dhe do të jetë më e aftë të tregojë se di të kalojë momentet e vështira. Vllaznia në fakt shpesh ka treguar se mund të dalë nga situata të tilla, megjithatë nuk ka shumë garanci për këtë gjë. Duhet parë realisht se si do të reagojë ajo ndaj Besës këtë herë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!