Dhe humbja erdhi... (VIDEO)

dardanmiftari | Saturday, November 03, 2012 | 0 Komente

Juventusi ka pësuar humbjen e parë pas 50 ndeshjesh në Serie A edhe atë nga rivali i përbetuar, Inter, i cili për më keq e ka mposhtur me rezultat 3-1 para tifozëve në Juventus Stadium.
Vetëm 19 sekonda pasi filloi takimi, Bianconerët kaluan në avantazh me anë të Arturo Vidal (1’). Asistimi ishte i Kwadwo Asamoah, i cili ishte në pozitë të dyshimtë jashtë loje kur e pranoi topin nga Mirko Vucinic.
Në minutat e para vendasit ishin dominues duke qenë shumë të rrezikshëm përpara portës. Përmendim një pasim të mrekullueshëm të Andrea Pirlos drejt Claudio Marchisios, goditjen e të cilit e ndali portieri Handanovic.
Edhe zikaltrit arritën të shënojnë nga pozita jashtë loje me anë të Rodrigo Palacios, mirëpo kësaj radhe gjyqtarët nuk gabuan duke anuluar golin.
Në vazhdim ndeshja filloi të nivelizohej, me zikaltrit që filluan të shtonin presionin për të shënuar dhe bardhezinjtë që prisnin gabimet e mysafirëve.
Një tjetër moment diskutimi në gjysmën e parë, ishte mosndëshkimi i Stephan Lichtsteiner me kartonin e dytë të verdhë. Duke parë situatën, stafi i Juves reagoi menjëherë për ta zëvendësuar zviceranin me Martin Caceres.
Arturo Vidal pati një tjetër rast në fund të pjesës së parë, por në vend ishte portieri mysafir.
Nerazzurët e filluan më mirë fraksionin e dytë duke e bërë të qartë së dëshironin gol dhe këtë e arritën.
Një gjuajtje e lirë e ekzekutuar nga Antonio Cassano krijoi panik në zonën e vendasve dhe Claudio Marchisio ndërhyri gabimisht në Diego Militon. Arbitri akordoi penalti. Argjentinasi ishte i saktë për t’i barazuar shifrat (59’).
Ndërkohë që te Bianconerët mungonte ajo arroganca e pjesës së parë, zikaltrit e shfrytëzuan momentin për ta shënuar golin e dytë. Buffon mbrojti goditjen e Fredy Guarin, por i jashtëzakonshmi Diego Milito ishte aty për të ndëshkuar (76’).
Në minutat e mbetura vendasit luajtën më mirë duke krijuar raste të shumta në përpjekje për ta shënuar golin e barazimit, por pa sukses.
Dhe futbollistët me fanellat e kaltra nga një kundërsulm e vulosën fitoren e tyre. Realizues ishte Rodrigo Palacio (89’).
Juventusi do të qëndrojë në krye të kampionatit italian me një pikë më shumë se Inter. 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...