Huntelar nuk lëviz nga Shalke, Afelai do të rikthehet te Barça
Përgatiti: ARJAN KOÇI
Menaxheri i sulmuesit holandez përgënjeshtron largimin për në Premier Ligë, ndërsa bashkatdhetari i tij synon të jetë sërish pjesë e Barcelonës
Menaxheri i Klas-Jan Huntelarit ka mohuar se është arritur një marrëveshje mes lojtarit dhe ndonjë klubi të Premier Ligës për transferimin e sulmuesit të Shalkes. Lojtari i përfaqësuese holandeze aktualisht ka kontratë me klubin gjerman deri në qershor të vitit 2013 dhe ende nuk ka firmosur kontratë të re, duke shtuar spekulimet për të ardhmen e tij.
Sulmuesi 29-vjeçar është përfolur më parë se mund të transferohet te klubi italian i Juventusit, por kohët e fundit janë përhapur lajmet se Liverpuli, Arsenali dhe Totenhemi janë vënë në garë për ta bërë për vete. Përfaqësuesi i lojtarit, Arnoldus Osterver, ka mohuar se është arritur ndonjë marrëveshje me një klub anglez të Premier Ligës, duke këmbëngulur se lojtari është duke i mbajtur hapur të gjitha opsionet.
Megjithatë, ai ka zbuluar se ish-lojtari i PSV-së, Realit të Madridit dhe Milanit do të vendosë për të ardhmen e tij gjatë merkatos së janarit. “Nuk ka asnjë marrëveshje me klubet angleze të Premier Ligës dhe Klas nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij”, ka thënë Osterver për mediat italiane.
“Ai nuk ka vendosur nëse dëshiron të luajë në Itali, Spanjë ose Angli apo të qëndrojë në Gjermani. Ai do ta planifikojë të ardhmen e tij këtë dimër.” Duke u ndalur te rinovimi i mundshëm me Shalken, ai ka shtuar: “Për momentin nuk refuzohet asnjë hipotezë pasi në futboll nuk i dihet kurrë. Kështu që duhet të presim të ardhmen për të kuptuar se si do të jetë karriera e Huntelarit më tej.”
Po ashtu, shanset e Shalkes për ta mbajtur holandezin Ibrahim Afelai edhe sezonin që vjen duken të pakta, pasi sulmuesi e ka bërë të qartë se dëshiron të kthehet te Barcelona kur të mbarojë huazimi i tij njëvjeçar në Gelsenkirshen. Afelai, i cili ishte grumbulluar edhe për ndeshjen e djeshme miqësore të Holandës kundër Gjermanisë, ka thënë:
“Synimi im është të kthehem te Barcelona”, duke e ditur se huazimi i tij skadon në qershor. “Por për mua ka po aq rëndësi që të argëtohem kur luaj për klubin tim aktual.” Menaxheri i përgjithshëm i Shalkes, Horst Heldt, është realist për shanset e klubit gjerman për të mbajtur lojtarin holandez.
“Nëse do të kemi ndonjë shans, atëherë duhet të jetë një vendim emocional. Ai duhet të ketë dëshirë të qëndrojë me ne”, ka thënë Heldt. Mesfushori i krahut ka pohuar se ka përjetuar një periudhë të mirë sepse ka luajtur rregullisht dhe nuk ka qenë i dëmtuar. “Nuk është e thënë të jesh gjithnjë mirë dhe të luash rregullisht”, ka thënë Afelai, i bindur se sezoni i tij te Shalke është duke shkuar mirë, pas një fillimi jo aq mbresëlënës. “E di nga përvoja dhe e vlerësoj shumë faktin që jam në formë të mirë fizike.”
Category: Futboll