Drogba te Milan, se shpejti zyrtarizimi
Didier Drogba pritet të jetë "goditja" e madhe e Milan në merkaton e janarit. Klubi italian ka nisur prej javësh tratativat, ndërsa është shumë pranë zyrtarizimit të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë. Lajmi konfirmohet nga mediat italiane. Sipas tyre Milan pret vetëm firmën, ndërsa transferimi do të konfirmohet në ditët e para të vitit të ardhshëm. Në pritje të mbylljes së këtij operacioni kanë dalë edhe detajet e para të kontratës. Didier Drogba do të firmosë një kontratë 1-vjeçare nga e cila do të përfitojë rreth 3 milionë euro.
Sulmuesi afrikan shihet si përforcimi më i rëndësishëm i Milan në merkaton e janarait, ku emrat e mëdhenj mungojnë, por situata e Drogba është e ndryshme. Pas largimit nga Chelsea si kampion i Europës, futbollisti u transferua në kampionatin kinez, ku nuk arriti të ambjentohej. Në këtë mënyrë, ai vjen në Seria A me parametra zero, ndërsa mund të luajë në Ligën e Kampioneve, një kompeticion ku Milan kërkon të ecë sa më shumë, megjithëse duhet të kalojë një pengesë të vështirë si Barcelona.
Po ashtu, Didier Drogba do të plotësojë në sulmin milanist hapësirën që do të lihet bosh nga largimi i dy brazilianëve Pato e Robinho. Të dy sulmuesit kanë kërkuar të kthehen në atdhe, ndërsa operacioni për shitjen e tyre mund të mbyllet në dy-tre ditët e ardhshme.
Category: Futboll

















