Armstrong i paturp: Dua të kthehem në sport!
Lens Armstrong beson se atij duhet t’i jepet përsëri mundësia të kthehet në botën e sportit, pasi mendon se nuk e meriton që të dënohet me pezullim të përjetshëm. Në pjesën e dytë të intervistës së tij me Oprah Uinfri, ai në mënyrë shumë të paturp ka kërkuar që të ulet dënimi i tij aktual, ai i pezullimi të përjetshëm nga bota e sportit.
“Unë e meritoj të ndëshkohem, por nuk jam i sigurt nëse e meritoj një dënim me vdekje”, tha ai, duke iu referuar faktit se 11 nga ish-shokët e skuadrës pranuan se kishin qenë pjesë e sistemit të dopimit të Armstrong, duke dëshmuar kundër tij, për të marrë dënime 6-mujore nga USADA.
“Jam i sinqertë kur them se nuk do të jetë një përgjigje popullore, por mendoj se e meritoj mundësinë të kthehem në sport. Nëse e sheh këtë sport dhe sheh dënimet që janë dhënë, historia ime është shkëmbyer me pezullime 6 mujore. Këto janë dënimet që kanë marrë të gjithë. Ndërsa unë jam dënuar me vdekje. Nuk po them se është e padrejtë, por se është shumë ndryshe nga të tjerët”, ishte apeli i Armstrong. “A duhet të ndryshojë vendimi ndaj meje? Personalisht mendoj se po, por realisht mendoj se nuk do të ndodhë kurrë dhe më duhet të jetoj me një fakt të tillë”.
Shqetësimi më i madh për momentin duket se do të jetë fakti se me largimin e sponsorëve të tij, Armstrong përballet me detyrime shumë të mëdha financiare, pasi janë dhjetëra persona e kompani që po përgatitin çështje ligjore kundër tij duke kërkuar dëmshpërblim. “Kam humbur çdo fitim të mundshëm në të ardhmen. Nuk më pëlqen të mendoj shumë rreth këtij fakti por besoj se kam humbur brenda një ditë mundësinë për fitime që kapin shifrën 75 milion dollarë. Këto para kanë ikur dhe nuk do të kthehen kurrë më”, tha ai, duke zbuluar se si mekanizmi i dopingut që kishte ndërtuar për të fituar, i siguronte nëpërmjet sponsorizimeve fitime kolosale.
Një problem tjetër që ka lindur pas intervistës së tij televizive është se gjatë saj, ai pretendon se nuk ka përdorur më doping pas Turit të Francës së vitit 2005, por sipas USADA, kjo është gënjeshtra e tij e radhës pasi ekzistojnë prova se ai e ka bërë një gjë të tillë edhe në vitin 2009. Çështja mund t’i kalojë autoriteteve federale për dëshmi të rremë, duke rrezikuar edhe burgun. (LajmeShqip.com)
Category: Automobilizëm