Kasapi i Besës
Ka shkuar në katër numri i përforcimeve të Besës. Të premten, pejanët kanë arritur marrëveshje edhe me mesfushorin e NK Çelikut të Malit të Zi, Fetim Kasapi. Lajmi konfirmohet nga drejtori i klubit, Bekim Shoshi. “Pas bisedave të vazhdueshme që kemi pasur, së fundmi kemi gjetur gjuhë të përbashkët me Fetim Kasapin dhe ai në gjashtë muajt e ardhshëm do t’i mbrojë ngjyrat e klubit të Besës”, u shpreh Shoshi të premten për ‘Sport’.
Ai vlerëson përforcimin e ri dhe shpreson se me ndihmën e tij dhe të lojtarëve tjerë, Besa do të arrijë të paktën të fitojë Kupën e Republikës së Kosovës. “Kasapi është lojtar i dëshmuar. Besoj se me ndihmën e tij dhe të futbollistëve tjera, Besa do të arrijë ta fitojë Kupën e Kosovës. Ky edhe është synimi i klubit. Sa i përket kampionatit, do të mundohemi të ‘grabitim’ pozita sa më të larta, por një gjë e tillë do të jetë shumë vështirë”, nënvizoi Shoshi.
Lojtari i lindur në vitin 1983, Fetim Kasapi, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës malazeze, NK Çelik, ka konfirmuar marrëveshjen me Besën.
“Është e vërtetë. Tashmë jam edhe zyrtarisht te Besa. Ndihem i lumtur për këtë rikthim”, pohoi Kasapi, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar pikërisht te klubi pejan. Gjithsesi, kalimi te Besa vlerësohet si një rikthim i tij në shtëpi. Kjo ka qenë edhe njëra nga arsyet për këtë zgjidhje të Kasapit.
“Arsye përse kam vendosur të rikthehem te Besa, është edhe qëndrimi më afër familjes. Normalisht, edhe kushtet e mira financiare, synimet e klubit, riorganizimi i mirë me kryetarin e ri, janë gjëra tjera që më kanë shtyrë të merrem vesh me Besën”, shtoi ai.
Sikurse drejtori Shoshi, ashtu edhe Kasapi thotë se synim i klubit është Kupa. “Ma merr mendja se me fondin e lojtarëve aktualë dhe me disa përforcime tjera që pretendon t’i realizojë klubi, ne mund ta fitojmë Kupën e Kosovës”, përfundoi Kasapi. (ORAinfo)
Category: Futboll