Si ishte viti që shkoi për shqiptarët që luajnë jashtë

Edw | Wednesday, January 02, 2013 |

Viti 2012 ishte në përgjithësi një vit i suksesshëm për futbollistët shqiptarë që luajnë jashtë vendit. Shumë prej tyre e filluan këtë vit duke arritur suksese të mëdha në karrierën e tyre.

Ishte Xherdan Shaqiri i cili arriti më shumë se gjithë lojtarët e tjerë. Ai kaloi një stinor fantastik me Baselin, duke i fituar të gjithë tituj në Zvicër dhe duke arritur në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ku fitoi interesimin e Bayern Munichut, të cilët e transferuan mesfushorin për një shumë rekorde për historinë e futbollistëve shqiptarë, 12.5 milionë euro.
Gjatë stinorit vjeshtor ai arriti të realizojë katër gola me fanellën e bavarezëve dhe të bëjë shtatë asistime. 21-vjeçari shënoi në të gjitha garat që luajti me Bayernin dhe gjithashtu u zgjodh në 11-shin më të mirë të sezonit vjeshtor në Bundesliga, nga Goal.com. 

Ky vit ishte sukses edhe për mesfushorin tjetër që mbron ngjyrat e Zvicrës, Granit Xhaka. Në gjysmën e parë të vitit 2012, ai ishte bashkëlojtar me Shaqirin te Baseli, duke e ndihmuar këtë skuadër rreth triumfeve, ndërsa gjatë afatit kalimtar veror iu bashkua ekipit gjerman, Borussia Moenchengladbach për 8.5 milionë euro. Edhe pse u prit shumë nga 20-vjeçari që të shpërthejë në Gjermani, ai pati vështirësi për t’u përshtatur me futbollin gjerman dhe gjysmën e sezonit e kaloi në bankën rezervë. Sidoqoftë, Xhaka thotë se do të vazhdojë të punojë edhe më shumë në mënyrë që sërish të jetë pjesë e formacionit bazë të Moenchengladbach.

Lojtarët që lanë gjurmë me golat e tyre gjatë viti 2012, padyshim që janë dy sulmuesit kosovarë, Besart Berisha dhe Fatos Beqiraj. Berisha e çoi skuadrën e tij Brisbane Roar drejt triumfit historik, duke shënuar dy gola në minutat e fundit të ndeshjes finale kundër Perth Glory (2-1). Besarti arriti që me 19 golat e tij të shpallej golashënuesi më i mirë në ‘A-League’ të Australisë duke e fituar ‘Këpucën e Artë’ dhe duke e barazuar rekordin e golave të shënuar gjatë një ndeshjeje. Edhe në ditën e parë të vitit 2013, Besarti shënoi në fitoren e skuadrës së tij kundër Wellington Phoenix.

Me golat e tij arriti sukses të madh edhe sulmuesi kosovar i Dinamo Zagrebit, Fatos Beqiraj. Ai e mbylli stinorin e fundit në Kroaci me 15 gola, duke arritur të shpallej golashënuesi më i mirë i futbollit në këtë vend dhe duke fituar ‘Këpucën e Artë’. Ai edhe këtë stinor luajti në Ligën e Kampionëve, por nuk shënoi gol siç bëri një vit më parë kundër Real Madridit, edhe atë në Santiago Bernabeu.

Vlen të përmendet edhe sulmuesi i kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku, i cili fitoi “Këpucën e Artë’ me 19 golat e tij për ekipin e Locarnos në ligën e dytë zvicerane. Ai po udhëheq edhe këtë stinor listën e golashënuesve me 11 gola.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, u vlerësua me notën më të dobët te skuadra e Lazios së Italisë për vitin 2012. Mesfushori kosovar u vlerësua me notën 5.5. Ai në këtë sezon të garave assesi nuk po ia del që të sigurojë një vend në formacionin bazë. Cana në këtë kampionat ka zhvilluar nëntë ndeshje në Serie A dhe tetë nga këto takime është futur në lojë nga bankina.

Viti 2012, solli edhe shumë transferime të mëdha për futbollistët kosovarë. Përveç Shaqirit e Xhakës, transferim tjetër i madh ishte edhe ai i Valon Behramit. Ky i fundit kaloi te Napoli nga Fiorentina, duke u bërë njëri nga shtyllat kryesore të kësaj skuadre në stinorin vjeshtor. Gjithashtu bëri bujë edhe transferimi i Hamdi Salihit, nga Rapid Vienna te DC United në SHBA.

Ilir Berisha u transferua te skuadra suedeze, Orebro, nga Prishtina. Ai shpejt u stabilizua në këtë klub, duke u bërë njëri nga lojtarët më të mirë aty. Portieri, Samir Ujkani, u kthye te Palermo dhe zhvilloi ndeshje të mira duke iu rënë në sy skuadrave të mëdha italiane. Ndërsa, portieri i Kalmarit, Etrit Berisha, zuri vend në kombëtaren e Shqipërisë, duke bërë paraqitje të shkëlqyera në portë.

Gjatë këtij viti shumë talentë kosovarë u transferuan në Evropë. Duke filluar nga Zymer Bytyqi, i cili në fillim të vitit theu rekordin e futbollit norvegjez si debutuesi më i ri në histori të këtij futbolli, me vetëm 15 vjet. Më pas ai siguroi një kontratë te Red Bull Salzburg. Talenti tjetër, Alban Bunjaku, u largua nga Arsenali për t’iu bashkuar Sevillas në Spanjë. Ndërsa Elvis Kabashi iu bashkua Juventusit për 1.5 milion euro.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!