Jua prezantojmë Messin e Strugës

Lina's | Tuesday, April 16, 2013 |

Ndoshta fillimisht duket e çuditshme, por është shumë e vërtetë. Më 9 Prill 2013, saktësisht në ora 10 mëngjesit në spitalin e qytetit në Strugë lindi Messi Shehu.

Muharrem Shehu, nga fshati Veleshtë i Strugës një fans i madh i klubit të futbollit Barcelona dhe yllit argjentinas Lionel Messi, ka vendosur që djalit të tij të sapolindur t’ia vë emrin Messi, njëjtë sikurse futbollisti më i mirë i planetit Lionel Messi. “Unë personalisht vendosa që djalin tim ta quaj Messi, sigurisht që motivi kryesor është se ky emër më ka gëzuar shumë herë në jetë duke pasur parasysh fitoret e shumta që ja ka dhënë klubit që unë e preferoj më së shumti, pra Barcelonës. Përveç kësaj emri Messi tashmë është shumë popullor, Messi është edhe një personalitet shumë human, e them këtë duke pasur parasysh veprimtaritë e tij të shumta dhe ndihmat që ai ka dhënë për njerëzit në nevojë, pra është një personalitet i veçantë, kështu që nuk ka asnjë pengesë që djali im ta ketë atë emër, madje është kënaqësi”, thotë Muharrem Shehu babai i foshnjës më popullor në Strugë, Messi Shehut.

Muharrem Shehu, thekson se ai do të bëjë gjithçka që është e mundur që djali i tij Messi Shehu, të bëhet një futbollist që do të arrijë majat e futbollit evropian dhe botëror.

“Po jam i përcaktuar që djalin tim ta drejtojë në rrugën e futbollit. Dua të bëhet futbollist dhe do të bëj gjithçka që ai të arrijë këtë. Jam shumë i lumtur që tashmë Barcelonës ju shtua edhe një tifoz i ri. Shpresoj që ky shkrim i Portalb të jetë një fillim i mbarë për karrierën futbollistike të djalit tim e cila fillon nga ky moment”, përfundon Shehu nga Veleshta.
Sidoqoftë, Messi Shehu është banori më i ri i Strugës dhe mund të themi tashmë më i përfoluri dhe më i popullarizuari në këtë qytet duke pasur parasysh se ka vetëm 8 ditë në këtë jetë.

Rasti në fjalë ka bërë bujë në mbarë opinionin strugan por edhe më gjerë, ndërsa kjo ngjarje është një dëshmi e madhe për popullaritetin dhe madhështinë e futbollistit argjentinas Lionel Messi. /Fish Media/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!