Edhe Barcelona ia huq me transferime!

Sinani | Tuesday, July 09, 2013 |

Barcelona i ka humbur 170,4 milionë euro në tetë transferimet e mëdha të bëra në vitet e fundit. Së fundmi, gjiganti katalunas i humbi 35 milionë euro, duke e shitur David Villan për 5 milionë euro në Atletico Madrid, ndërsa e kishte blerë nga Valencia plot 40 milionë.
Një tjetër futbollist tek i cili kishte humbur shumë Barça ishte edhe Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez i kishte kushtuar gjigantit spanjoll 87 milionë euro, duke e futur këtu në ‘lojë’ edhe shkëmbimin me Samuel Eto’o, ndërsa e kishte shitur në Milan vetëm për 35 milionë euro (63 më pak)
Edhe Alexander Hleb ishte dështim për Barcelonën. Atë e bleu për 15 milionë euro nga Arsenali në vitin 2008, ndërsa më pas e huazoi vazhdimisht, duke e liruar në fund pa para.
Edhe braziliani Henrique ishte transferim i keq. Kampioni spanjoll kishte paguar për të 16,5 milionë euro, ndërsa e kishte dhënë ‘gratis’ në Racing de Santander.
Pothuajse njëjtë kishin shkuar gjërat edhe me ukrainasin Chigrinsky, për të cilin Barça ia kishte paguar Shakhtar Donetskut 25 milionë euro. Pas një sezoni, ai u shit për 15 milionë euro (10 milionë më pak).
Një rast tjetër ishte uruguaiani Martin Caceres, të cilin klubi spanjoll e kishte blerë 16,5 milionë euro, kurse e kishte shitur në Juventus për 13 milionë më pak.
Pastaj braziliani Keirrison i kishte kushtuar gjigantit katalunas 14 milionë euro në vitin 2009, ndërsa ai nuk e kishte veshur kurrë fanellën Blaugrana.
As transferimi i Maxi Lopezit nuk kishte shkuar si duhet. Atë e kishte blerë Barcelona 6 milionë euro, ndërsa e kishte shitur për vetëm dy milionë. /Fish Media/
Blerjet e dështuara të Barçës (në kllapa humbjet)
1. Ibrahimovic (-63 milionë euro)
2. Villa (-34,9 milionë)
3. Henrique (-16,5 milionë)
4. Hleb (-15 milionë)
5. Keirrison (-14 milionë)
6. Cáceres (-13 milionë)
7. Chigrinsky (-10 milionë)
8. Maxi López (-4 milionë)
Totali: 170,4 milionë euro të humbura

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!