Shteti e pasuron Majlinda Kelmendin me 120 mijë euro

Sinani | Friday, July 05, 2013 |

Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka dukeshin të gëzuar të martën, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me Ministrisë e Sportit, KOK-un dhe Federatën e Xhudos.
Natyrisht, të dy kishin arsye, pasi që ministri i Sportit, Memli Krasniqi i ftoi në zyrën e tij, për t’i njoftuar se nga tash e tutje, shteti do t’i përkrah edhe më fuqishëm financiarisht.
Palët e nënshkruan një kontratë katërvjeçare, respektivisht për një cikël olimpik, deri në Olimpiadën e Rio de Janeiros, që do të zhvillohet në vitin 2016 në Brazil.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, në kasën e Majlindës dhe Dritonit do të derdhen plot 120 mijë euro në përgjithësi, që kur të pjesëtohen i bie 30 mijë euro në vit, shkruan Express.
Këto mjete do të jenë më shumë në formë të mbështetjes mujore nga shteti, apo si një bursë, për një sportiste kulminante si Kelmendi dhe trajnerin e saj, Kuka.
Kjo shumë është konsideruar mjaft e kënaqshme për këta të dy, pasi që i afrohet atyre të rajonit.
Por, assesi nuk i afrohet ofertës që kishin marrë nga Turqia, e cila ishte e gatshme t’u ofronte bashkërisht 15 mijë euro në muaj dhe 200 mijë euro për transferim nga Kosova në Turqi.
Sipas kësaj oferte, viti do ta kapte vlerën prej 180 mijë eurosh, kurse cikli olimpik katërvjeçar – plot 720 mijë euro. Kur kësaj vlere ia shton edhe 200 mijë eurot e transferit, atëherë i bie që oferta turke kapte shifrën e 920 mijë eurove.
Përpos Turqisë, ofertë për Majlindën kishin bërë edhe Azerbajxhani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por, në fund ata vendosën t’i mbeten besnik vendit të tyre, Kosovës.

Category: ,

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!