Thaçi – Dacic, flasin edhe për Sportin

Lina's | Sunday, August 25, 2013 |

Sporti kosovar do të jetë temë diskutimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bisedimet e vazhdueshme që po i zhvillojnë të dyja vendet në Bruksel. 

Propozimi i njerëzve të involvuar në sportin kosovar që edhe kjo lëmi të futet në dialogun ndërmjet dy vendeve më në fund duket se do të sjell fryt. 

Në fakt, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka konfirmuar se krahas temave tjera të rëndësishme për vendin, në takimin e radhës me Kryeministrin serb Ivica Dacic do të diskutojë edhe për çështjen e sportit kosovar, i cili mbetet i izoluar tash e sa vite. 

“Në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, po ashtu kanë mbetur të harmonizohen temat për të cilat do të diskutohet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, dhe njëra ndër çështjet e para që do të shtrohet në tavolinën e bisedimeve është edhe çështja e përfaqësimit të sportit kosovar në garat ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi. 

Madje, ai shprehet optimist se sporti i këtushëm do të shohë më në fund dritë, 14 vjet pas luftës. “Besoj se do të gjendet një zgjidhje për këtë punë”, ka shtuar Thaçi. Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë më 27 gusht në Bruksel. 

Shpresojmë që më në fund të thyhet barriera dhe, Serbia, me aleatët e saj, të mos e pengojë më ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. /Fish Media/ 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!