Basketboll, Franca rinovon me trajnerin kampion

Unknown | Tuesday, September 24, 2013 | 0 Komente

Medaljen e artë do ta mbajë në sirtar për shumë kohë si një kujtim të përjetshëm për arritjen historike, ndërsa tani duhet të përveshë mëngët edhe më shumë për të ndërtuar një skuadër të denjë në evente edhe më prestigjoze.

Avioni më kampionët e Europës në basketboll nuk ishte ulur ende në Paris, por trajneri Vincent Collet kishte dijeni për të ardhmen e tij, ai do të drejtojë kombëtaren transalpine të basketbollit edhe në Olimpiadën Rio 2016.

Edhe pse e drejtoi skuadrën pa “mandat” në finalen kundër Lituanisë, pasi kontrata i kishte përfunduar, drejtuesit e federatës nxituan për të rinovuar besimin ndaj tij sepse paraqitja e bluve në europianin e Sllovenisë meriton një shpërblim të majmë dhe kontrata e re që iu propozua, është qershia mbi tortë.

Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një komunikate zyrtare, ku presidenti Jean-Pierre Siutat pohon se puna e nisur vite më parë u konkretizua me një medalje argjendi në vitin 2011, por u kurorëzua me suksesin historik të Ljubjanës ku për herë të parë, Franca u ngjit në fronin e Europës.

Prania e Vincent në stolin e Francës edhe për të ardhmen ka bindur yllin e San Antonio Spurs, Tony Parker, të ndjekë teknikun edhe gjatë viteve të ardhshme, duke shprehur gadishmërinë e tij për të ndihmuar ekipin kombëtar edhe në një eveniment madhështor si Olimpiada që do të zhvillohet pas tre viteve në Rio de Janeiro.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...