Shaqiri: Mos na quani tradhtarë

Unknown | Friday, October 11, 2013 | 0 Komente

Xherdan Shaqiri e pranon se është një ndeshje jo e lehtë për të. Mesfushori kosovar i Bayernit të Munichut kërkon mirëkuptimin e tifozëve, duke thënë se duhet të jenë të përmbajtur në sfidën e sotme. “Nuk jemi tradhtarë, përkundrazi, ndihemi mirë se jemi në atdhe. Tifozët duhet të na kuptojnë. Ne kemi gjak shqiptari dhe ndihemi shqiptarë, por futbolli do profesionistë dhe ne duhet të sillemi si të tillë”, – ka thënë Shaqiri në një intervistë për “Dielli.al”. 

Si ndiheni para ndeshjes me Kombëtaren shqiptare? 
Shaqiri: Ndjehemi shumë mirë, pasi jemi në atdhe. Është një ndeshje e rëndësishme si për ne dhe për Shqipërinë. Sigurisht që do të përjetojmë një emocion të fortë në “Qemal Stafa”, pasi si ne dhe Shqipëria synojmë fitoren. 

Ju ruani kreun në Grupin E, në kuotën e 18 pikëve, që do të thotë pothuajse e keni të sigurt kualifikimin në Botëror. Shaqiri: Jo, të sigurt nuk e kemi akoma. Ne e dimë që është shumë e rëndë loja këtu, do të luajmë një herë lojën dhe pastaj shohim rezultatin. Por ama na vlen edhe një pikë, kemi ardhur për fitore në Tiranë. 

Besoj e lexoni shtypin shqiptar, si dhe jeni në dijeni të euforisë së krijuar nga “Tifozët Kuq e Zi”. Ata ju kanë shkruar dhe një letër në lidhje me ndeshjen e nesërme. Çfarë mund të thoni rreth kësaj? 
Shaqiri: Gazetat shkruajnë shumë, madje dhe të pavërteta rreth nesh, kur realisht nuk e dinë se cila është e vërteta dhe kjo gjë më pengon. Ndërsa për sa u përket tifozëve, është më se normale që do të reagonin në këtë mënyrë, por ama lutem ta kuptojnë këtë situatë. Do të jetë një emocion shumë i fortë për ne kur të hyjmë në fushë, përballë tifozëve në tokën mëmë, por duhet ta kuptojnë futbolli fundja-fundit është profesion. Ne jemi profesionistë. 

Ju jeni lojtar i ekipit të Bajern Mynihut, aktualisht kampion Europe. Çdo të thotë të jesh pjesë e një ekipi të tillë? Sa e rëndësishme është për ju kjo? Shaqiri: Normalisht është shumë e rëndësishme për mua, të jesh lojtar i një ekipi të madh, kemi fituar një titull shumë të rëndësishëm. Kjo më bën të ndjehem një lojtar i madh dhe uroj që të kem dhe më sukses, pasi mundohem të jap maksimumin tim për të arritur sa më lart. 

Së fundmi, cili është mesazhi që do u jepni tifozëve kuqezi, në prag të ndeshjes? 
Shaqiri: Realisht nuk i gjej fjalët e duhura për të thënë ndoshta një mesazh që ata të kuptojnë se kjo është një ndeshje si gjithë të tjerat, profesionale në fushën e blertë dhe ne 6 shqiptarët e Zvicrës, të mos na shohin si tradhtarë, por si shqiptarë, pasi ne kemi gjak shqiptari dhe e ndjejmë vetën shqiptarë, pavarësisht faktit që luajmë për Zvicrën. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, që ata ta kuptojnë. Do doja të mos nervozoheshin, jemi dhe ne njerëz dhe normalisht ndjehemi keq kur ata reagojnë jo mirë kundrejt nesh./Fish Media/ 

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...