Valencia i afrohet pozitës së katërt

dardanmiftari | Sunday, April 05, 2009 | 0 Komente

Dy penalti të shndërruara në gol nga David Villa kanë ndihmuar Valencian të shënojë fitore të thellë prej 4-1 ndaj Getafes, që ngrihet në pozitën e pestë të tabelës së La Ligës.
Vendasit hapën rezultatin pas 20 minutash lojë në Mestalla me golin e Juan Manuel Mata Garcia. Pesë minuta më vonë rezultatin e dyfishoi David Villa, duke shënuar nga pika e bardhë, pasi David Silva ishte fauluar në zonë nga Lucas Licht. Pjesa e dytë filloi në të mirë të Getafes, që katër minuta pas pauzës (49’) ngushtoi rezultatin me anë të penaltisë së shndërruar në gol nga Francisco Casquero. Por kjo ishte gjithë çka mundën mysafirët, pasi pas shtatë minutash tjera vendasit shtuan avantazhin me anë të Raul Albiol. David Villa fitoi dhe shndërroi në gol edhe penaltinë e tretë të akorduar në këtë ndeshje dhe të dytën për Valencian, për të shënuar golin e 21-të këtë sezon. Portieri Jacobo Sanz Ovejero, i cili shkaktoi penaltinë, u përjashtua nga loja për shkak të kartonit të dytë të verdhë. Në ndeshjen tjetër të sotme, Atletico Madrid është turpëruar në Vicente Calderon duke u mposhtur nga Osasuna me rezultat 4-2. Me humbjen e sotme, Atletico mbetet me 43 pikë dhe humb edhe pozitën e pestë në tabelë, ku ngrihet Valencia, që tash ka 46 pikë. Edhe Villarreali që mban pozitën e katërt, dje humbi në fushë të Almerias dhe rrezikon këtë pozitë, pasi tash ka vetëm dy pikë epërsi ndaj Valencias. Barcelona vazhdon të kryesojë La Ligën me 72 pikë, gjashtë më shumë se Real Madridi që ndjek në pozitën e dytë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...