Steve Bruce trajneri i ri i Sunderlandit
Sunderland ka caktuar Steve Bruce si menaxher të ri të ekipit, pasi ai arriti marrëveshje për t’u larguar nga rivali i Premier League, Wigan Athletic.
“Steve do të sjellë profesionalizëm dhe karakter të fortë në klub, që do të na ndihmojë vërtet për të ecur përpara drejt asaj ku të gjithë duam të jemi. Ai e di më shumë se çdokush, çfarë do të thotë futbolli për njerëzit e këtij regjioni dhe jam i bindur se ai do të jetë në gjendje të rrënjosë në lojtarët tonë sistemin e saktë me të cilin duhet të luajë ky klub futbolli”, ka thënë drejtori i klubit, Niall Quinn. 48-vjeçari Bruce ka nënshkruar marrëveshje tre-vjeçare dhe do të marrë detyrën nga trajneri i përkohshëm Ricky Sbragia, i cili morri drejtimin e skuadrës në mes të sezonit, duke zëvendësuar të larguarin Roy Keane. Bruce, i cili kishte një karrierë të bujshme si lojtar i Manchester United, deri tash ka menaxhuar Sheffield United, Huddersfield Town, Wigan-in dy herë, Crystal Palace dhe Birmingham City-n, që kur është pensionuar si lojtar në vitin 1999.
Category: Futboll
0 Komente