Barca deklason Realin

dardanmiftari | Monday, November 29, 2010 | 0 Komente

Lojtarët e Barcelonës duke festuar golin e dytë Barcelona quhet lideri i ri në Kampionatin spanjoll La Liga, pasi Blaugranët shkatërruan Mbretërit e Real Madridit me rezultat të thellë dhe turpërues 5-0.
Ishte kjo një ndeshje e cila ishte çdo gjë tjetër pos e barabartë, pasi që në fund triumfoi skuadra me futbollin më të mirë dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë nivelizim në lojë, në asnjë moment të sfidës më të madhe planetare.
Skuadrat hynë në fushë të prekura si nga shiu që po binte në Camp Nou, ashtu dhe nga tifozeria e flaktë Blaugrane që përgatiti një koreografi të jashtëzakonshme.
Barcelona filloi më mirë takimin, duke shtrirë dominimin në çdo cep të fushës. U deshën vetëm pesë minuta për të regjistruar momentin e parë të nxehtë të këtij takimi. Lionel Messi pasi hutoi tërë mbrojtjen e Realit, i dërgoi po ata lojtarë në ëndrra me anë të një goditjeje të magjishme e cila qëlloi shtyllën pingule. Këtu Casillas ishte i mposhtur. Ndeshja vazhdon dhe Barcelona bën presion enorm në Real Madridin. Një pasim mjeshtëror të Andres Iniestas në mbrojtjen katastrofale të Realit e shfrytëzoi për mrekulli mesfushori më i mirë në botë Xavi (10’), i cili realizoi për 1-0 duke ndezur impiantin.
Real Madridi tentoi që të kundërpërgjigjet në aksionin e radhës me anë të Angel Di Marias, goditja e të cilit përpak sa nuk përfundoi në portë, por i përqëndruar dhe në vend ishte Victor Valdes.
Në minutën e 14-të regjistrohet një prej mundësive më të mira të Realit në pjesën e parë. Ronaldo pas një depërtimi lansoi një pasim të mençur në zonë, të cilin nuk e arriti dot Karim Benzema, si pasojë e devijimit të Eric Abidal që përpak sa nuk përfundoi në rrjetën e Victor Valdes.
Se çfarë po bënte Barcelona në këtë fillim të takimit, e tregoi posedimi i topit i cili ishte 75 % me 25 % në favor të katalanasve.
Fryti i këtij posedimi erdhi në minutën e 18-të, kur pasi u lodhën mirë e mirë Los Blancos, në zonë depërtoi për mrekulli David Villa, goditjen e të cilit e ndali Iker Casillas, por vetëm për ta kthyer te Pedro, i cili u tregua i saktë për 2-0 dhe ekzaltin në Camp Nou. Mourinho në këmbë, duke mos u besuar syve.
Blaugranët vazhduan me lojën e tyre karakteristike Tiki-Taka, duke bërë shaka me Real Madridin, që po vraponte pas katalanasve. Hutinë e krijuar te mbrojtja madrilene e shfrytëzoi Xavi, që me një pasim e nxorri përballë Casillasit sulmuesin Pedro, ndërsa ky i fundit dështoi para portierit më të mirë në botë, i cili edhe njëherë u tregua stoik për mbretërit.
Dhe pikërisht pas gjymë ore lojë, regjistrohet momenti më i errët i këtij takimi. Një rivënie anësore të akorduar për Real Madridin tentoi ta ekzekutonte Cristiano Ronaldo, por topin në dorë e kishte trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola. Në tentim për t’ia marrë topin strategut katalanas, superylli portugez e shtyu në mënyrë të pahijshme Guardiolan, duke zgjuar tensione të mëdha në fushë dhe në tribuna. Pasojë e tensioneve ishin Ronaldo dhe Valdes të cilët u zverdhën.
Në vazhdim Real Madridi tentoi të rikthehej në lojë. Gjuajtja e lirë e Cristiano Ronaldos pas 35 minutash lojë përpak sa nuk përfundoi në rrjetën kuq e kaltër, pasi i mposhtur në ato momente ishte Victor Valdes. Vetëm katër minuta më vonë Ronaldo rrëzohet në mënyrë të dyshimtë në zonë nga Valdes, por gjyqtari Iturralde Gonzalez heshti.
Skuadrat hynë në pushim pas pjesës së parë me rezultatin 2-0 për katalanasit, kurse pas leksionit që i mbajti homologu i tij, Mourinho kishte se për çfarë t’u fliste të urdhëruarve të tij.Pjesa e dytë filloi me një zëvëndësim të bërë nga Jose Mourinho, i cili vendosi ta largonte Mesut Ozilin, që nuk ishte kërkah, për të inkuadruar një lojtar më defensiv, Lassana Diarra.
Me të filluar pjesa e dytë Barcelona filloi menjëherë me lojën sulmuese duke e rrezikuar tmerrshëm portën e Iker Casillas. Lionel Messi depërtoi në zonë, me ç’rast u tregua egoist duke refuzuar pasimin te David Villa i cili ishte i lirë, për të goditur drejt e në mbrojtjen madrilene. Nga topi i kthyer përpak sa nuk shënoi David Villa.
Një top i Lionel Messit në minutën e 51-të vuri në gjum tërë mbrojtjen e Real Madridit, duke nxjerrë para golit mesfushorin Xavi, që përpak sa nuk shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Barcelonën, i cili do ishte fatal për madrilenët.
Real Madridi u përshëndet nga ky takim në minutën e 55-të, pas një pasimi nga futbollisti padyshim më i mirë në botë, Lionel Messi, i cili shërbeu në mënyrë fantastike David Villan, që nuk e pati të vështirë të shënonte për 3-0 dhe kapitulimin e Real Madridit.

Se Mbretërit e Real Madridit nuk ishin në formë, e dëshmoi përsëri David Villa (57’), i cili realizoi nën këmbët e Casillas, pasi u nxorr para portierit të Realit nga jashtëtokësori Lionel Messi që regjistroi asistimin e dytë në këtë takim. 4-0 dhe Jose Mourinho tashmë është duke e menduar deklaratën ngushëlluese pas ndeshjes. Por, sa për prestigj dhe për ta therrur përfundimisht Realin, u përkujdes Jeffren Suarez që realizoi për 5-0 në minutën e fundit.
Barcelona në vazhdim të takimit bëri shaka me Real Madridin. Vërtet, vërtet lojë e magjishme e treguar nga Barca, ndërsa nuk dihet se çfarë ka momentalisht në mendjen e tij Jose Mourinho, që pa kurrfarë dyshimi përjetoi ndeshjen më të vështirë në karrierën e tij. Se sa e rëndë ishte disfata për Real Madridin, e tregoi nervozizmi i Los Blancos në fund të ndeshjes, me ç'rast pas tensioneve të mëdha u dërgua në zhveshtore Sergio Ramos, i cili ndërhyri brutalisht në Lionel Messin.
Kështu, El Classico numër 161 përfundoi me fitoren e madhe të Barcelonës prej 5-0 ndaj rivalit të përbetuar Real Madrid, në një ndeshje e cila ishte shembull për të gjithë se si luhet futbolli modern. Ishte kjo fitorja e pestë me radhë e Barcelonës në El Classico ndaj Real Madridit.
Barcelona me këtë fitore bëhet lidere në La Liga me 34 pikë, dy pikë më shumë se rivali i përbetuar Real Madrid që e sheh pas El Classicos veten në pozitën e dytë.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...